Në pikun e sezonit veror, shoferët nga i gjithë vendi po vuajnë trafikun e rënduar në autostradën Tiranë- Durrës. Punimet që po kryhen për riparimin e këtij aksi kanë krijuar kolaps në trafik. Madje ka edhe nga ata shoferë e biznesmenë që pavarësisht se kanë patur punë të rëndësishme, marrëdhënie tregtare apo biznesi e kanë shtyrë udhëtimin drejt Tiranës pikërisht prej trafikut të rënduar. E njëjta gjë edhe me durrsakët që i drejtohen Tiranës.

Qeveria vendosi që në pikun e sezonit të niste punën për riparimin e autostradës, e cila i përngjante një rruge rurale për shkak të amortizimit të skajshëm të saj.

Duke e ditur që ky është një prej segmenteve me ngarkesën më të lartë në rang vendi, aksi u la të degradonte deri në atë pikë sa rreziku për të lëvizur aty ishte maksimal në çdo kohë. Mjetet e rënda dhe forca të shumta punëtore janë duke punuar për riparimin e autostradës në fazën e tretë të ndërhyrjes.  

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe policia e qarkullimit rrugor kanë bërë të ditura edhe detajet sesi do të devijohet trafiku. Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe policia informojnë mediat dhe opinionin publik se ne vijim të ndërhyrjes emergjente për riparimin e shtresave asfaltike në aksin Qafë Kashar-Durrës dhe Durrës-Qafë Kashar në kuadër të projektit të mirëmbajtjes me performancë të Bankës Botërore ka rinisur në ora 06-00 të mëngjesit të së hënës faza e tretë e punimeve në segmentin Maminas-Sukth, në drejtimin Tiranë-Durrës.

Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.

K.H.