Nga sot në rrugën “Pavarësia” në plazhin e Durrësit nuk lejohet më të qarkullojë asnjë autobus dhe furgon që transporton pushues përveç mjeteve të transportit publik.

Me kërkesë të qarkullimit rrugor në Durrës, Drejtoria e Mirëmbajtjes së rrugëve ka vendosur tabelat e sinjalistikës rrugore ku njoftohen të gjithë shoferët për ndryshimet që janë bërë në sinjalistikën rrugore në zonën bregdetare.

Shefi i qarkullimit rrugor në Durrës, Valentin Floriri, tha se hapja e rrugës dytësore paralele me rrugën “Pavarësia” nga ana e bashkisë së Durrësit i jep zgjidhje çështjes së qarkullimit rrugor në zonën bregdetare. "Rruga dytësore është brenda standarteve për qarkullimin e autobusëve dhe furgonave ", sqaron shefi i qarkullimit rrugor. 

Autobusët që sjellin turistë dhe furgonat e mallrave nuk lejohen më të qarkullojnë në plazh përveç se në oraret e përcaktuara gjatë natës, çka do të thotë se të gjithë bizneset duhet t'i bëjnë furnizimet e dyqaneve deri në orën 6 të mëngjesit shpjegoi Aljon Hysko. Kjo ndërrmarje është duke plotësuar me sinjalistikën e nevojshme horizontale e vertikale segmentet rrugore në zonën e plazhit aty ku janë edhe më urgjente.

Shërbime 24 orë të qarkullimit rrugor do të ketë edhe në rrugën Maminas-Gjiri i Lalëzit në kuadër të masave për sezoni veror. Me mbylljen e qarkullimit rrugor për transportin e pushuesve në plazh ngarkesa shkon në Unazën e Plazhit, në të cilën do të hiqet edhe kufizmi i shpejtësisë prej 40 km në orë që shkakton trafik të rënduar në atë zonë.

K.H.