Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot para gazetarëve, se pas ish-ministrit Saimir Tahiri, Kryeministri Edi Rama tashmë po mbron kryetarin e Bashkisë së Durrësit, i cili sipas tij është kapur ‘gafil” nga ndërkombëtarët duke blerë votat.

“Vangjush Dako është kapur në flagrancë duke bashkëpunuar me grupet kriminale më të rrezikshme të Durrësit, të cilëve u kërkon të vjedhin dhe blejnë votat në zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Shërbimet Inteligjente duke përfshirë ato të vendeve partnere e kanë kapur gafil Vangjush Dakon duke bërë pazare në telefon. Në këmbim të blerjes së votave dhe dhunimit të qytetarëve, Dako u premton kriminelëve  tendera. Janë miliona euro që Dako u ka premtuar kriminelëve vetëm që ata të siguronin vota dhe pushtet për PS”, tha Basha.

Po ashtu, Basha tha se këto pazare të ndyra janë nën hetim nga prokuroria e Krimeve të Rënda. Kryedemokrati shtoi se për këtë arsye ata kanë ndërhyrë për të larguar nga hetimi prokurorin që po hetonte këtë aferë kriminale, të interceptuar edhe nga shërbimet inteligjente të vendeve partnere.

“Kjo është një nga çështjet, ku mund të gjendet edhe arsyeja e dorëheqjes së papritur të shefit të SHISH. I kërkoj prokurorit të përgjigjëm nëse lëvizja e prokurorit Anton Martini është bërë apo jo nën presionin e Edi Ramës”, deklaroi Basha.