Si e mendojnë të rinjtë, mënyrën e të funksionuarit të drejtësisë për “Çështjen Tahiri”?

Kjo temë u diskutua në selinë e Partisë Demokratike me studentë të ekselencës së Fakulteteve të Drejtësisë.

Sekretari i Grupit Parlamentar Ervin Salianji bashkëbisedoi me të rinjtë, një pjesë e madhe e të cilëve, vizitonte për herë të parë selinë e PD-së.

"Mafia në pushtet po përdor Shqipërinë si pronë personale pa respektuar Kushtetutën e vendit", tha Salianji, dhe rinia shtoi ai, ka qëndrimin e saj se ku po shkon Shqipëria sot.

Rasti konkret i bandës së Habilajve dhe lidhjes së ngushtë të tyre me ish-Ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri, ishte referimi i z.Salianji.

“Një grup i strukturuar kriminal, është kapur nga antimafia italiane, me më shumë se 2 mijë faqe përgjim. Gjykata e Krimeve të Rënda ka dënuar tre prej drejtuesve të policisë në Vlorë, Drejtorin e Policisë, Shefin e Antitrafiqeve, Shefin e Antidrogës, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me ish-Ministrin e Brendshëm Sajmir Tahiri, kanë struktuar këtë grup. Prokuroria ka nisur hetimin ndaj këtij grupi. Partia Demokratike ka denoncuar vite më parë se Sajmir Tahiri ishte personi që mbante kontakte me mafian, me rekorde të rënda kriminale, për interes të Partisë Socialiste dhe Edi Ramës. Pas fitores së zgjedhjeve, si një projekt politik për të kapur pushtetin nëpërmjet bandave dhe krimit dhe për ta ndarë pushtetin me ta, Sajmir Tahiri emërohet përfaqësues i bandave në qeveri dhe Ministër i Brendshëm i Edi Ramës dhe i qeverisë. Si përfaqësues i një bande, ai shkarkoi brenda një dite, të gjithë drejtuesit e policisë. Të 12 drejtorët nëpër qarqe dhe po në kundërshtim me ligjin, emëron ose persona partiak, të aktivizuar në PS, ose persona me preçedentë penalë, të cilët ishin larguar edhe nga Ministra socialistë në qeveritë e mëparshme. Ai emëron drejtuesit e tij, me precedentë penalë, në çdo qark dhe emëron personat e kontaktit për të mbajtur lidhje me bandat ku drejtuesi kryesor është kryeministri, për katër vite, Shqipëria u mbush si kurrë më parë, me drogë”.

Deputeti Salianji theksoi se bandat shfrytëzonin fshatarët e zonës, të cilët paguheshin deri në 1 mijë lek të reja. Në katër vite, theksoi Salianji, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje nga shteti shqiptar, çka provon se ky ishte një projekt i vendosur më parë nga Edi Rama.

Studentët e ekselencës cituan Kushtetutën: “Ligji është i barabartë për të gjithë”.

Frenkli Lazimi student për drejtësi, tha se sot në Shqipëri, ligji nuk është i barabartë për të gjithë, sepse njerëz me pushtet nuk janë para ligjit, ndërsa njerëzit e thjeshtë janë të parët që duhet të japin llogari.

Zhuljeta Mena studente e ekselencës tha se: “Ne jetojmë në një vend paradoksal, ku zyrtarë të lartë të shtetit nuk dënohen pavarësisht shkallës shumë të lartë të rrezikshmërisë shoqërore, ndërkohë që ne shohim qytetarë që mund të bëjnë një shkelje dhe dënohen”.

Studentët gjithashtu u njohën se si funksionon i gjithë rrjeti i krimit në Shqipëri dhe pasojat që po sjell ai në shoqërinë dhe ekonominë e vendit.​