Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur komentuesve të tij në “Facebook”, të cilët i komentojnë për tematika nga më të ndryshmet. Teksa Rama ka postuar takimin e kryebashkiakëve për reformën e ujit dhe iu bënte thirrje qytetarëve të legalizojnë lidhjet e paligjshme dhe të mos vjedhin, shumë komentues i kërkojnë përmirësim të situatës, pasi nuk kanë ujë.

Por ka edhe nga ata që kërkojnë punë. Një komentuese duke iu drejtuar kryetarit të Bashkisë së Tiranës, thotë se të rinjtë janë pa punë. Sipas saj, populli vuan si në Afrikë, ndërsa qeveritarët hanë si mbretër.

Por shumë prerës ka qenë Rama me përgjigjen e tij, që me sa duket ashtu siç bën me shumë të tjerë, i ka hedhur një sy profilit të saj. Kreu i qeverisë i përmend telefonin iPhone dhe çantën Gucci. Sa për ushqimin e qeveritarëve, kryeministri e këshillon të shohë një film.

REPLIKA
Komentuesja:
Lali Eri siguro rininë që janë pa punë, ju qeveritarët hani si mbretër po ne populli po vuajmë baras me Afrikën lali Eri.

Edi Rama: Me ajfon dhe me çantë Gucci po vuan baras me Afrikën ti Manuela?! Jo xhan jo, ti me siguri nuk e ke idenë se çfarë është Afrika dhe vuajtja për bukë, ndërsa sa për çfarë po hamë ne si mbretër, të siguroj se nuk e ke idenë as si hanë mbretërit, shiko filmin “Marie Antoinette” të Sofia Coppola-s që ta krijosh një ide.