Kryetari i grupit të punës për riorganizimin e Partisë Demokratike në Qarkun e Gjirokastrës, Florian Xhuti, është kërcënuar me jetë. Ngjarja është referuar edhe në Policinë e Shtetit, ndërkohë që vetëm paraditen e së hënës është bërë publike edhe për mediat.

Në një intervistë për “Panorama”, funksionari i PD-së në Qarkun e Gjirokastrës rrëfen kërcënimin që ka marrë pas mbledhjeve me strukturat e PD-së në Tepelenë dhe Memaliaj ku thekson se ka folur për mbrojtjen që Kryeministri Rama po i bën ish-ministrit Tahiri dhe arratinë e ish-shefave të Policisë.

Sipas funksionarit të PD-së, ngjarja ka motive politike dhe pret që strukturat e Policisë së Shtetit ta zbardhin sa më shpejt.

Si ka ndodhur kërcënimi që ju z.Xhuti keni referuar edhe në Polici disa ditë më parë?

Unë mbuloj Qarkun e Gjirokastrës për Partinë Demokratike, jam kryetar i grupit të punës për çështjet e riorganizimit të strukturave të partisë. Ditën e enjte kam qenë duke u kthyer nga një mbledhje me strukturat e Partisë Demokratike, që kishim në Përmet dhe Memaliaj. Pasi mbarova mbledhjet, në kthim, në pjesën e Mallakastrës një makinë më afrohet dhe më del paralel me mjetin që unë drejtoja. Duhet të ketë qenë ora 22:00, pasi në orën 21:30 unë mbarova mbledhjet dhe u nisa nga Memaliaj. Në drejtimin e mjetit isha vetë dhe nuk kisha pasagjer, sepse ata që më njohin, e dinë që udhëtoj gjithnjë vetëm. Më del një makinë paralel me krahun tim dhe pasagjeri më bën me shenjë që të hap krahun dhe të ndaloj. Mendova se kishte ndonjë urgjencë dhe thuajse ndalova në rrugë, as krahun tamam nuk e hapa me makinë. Mjeti, që më bëri me shenjë, ndaloi paralelisht me mua. Pasagjeri iu afrua mjetit tim dhe më pyet me atë dialektin e tyre “Si e ke emrin ti?”. Florian i them, përse? Më afrohet akoma më shumë dhe duke më nxjerrë pistoletën më thotë: “Po ti mor, të q… r…, vjen na shan ne në shtëpinë tonë?” Ndërkohë, që ky djali, që duhet të jetë rreth 35 vjeç, më thotë kështu, drejtuesi i mjetit tjetër i thotë: “Zbrite poshtë shkër…

Kur thoshte vjen na shan në shtëpinë tonë, për çfarë e kishte fjalën?

Në mbledhjet që unë kam zhvilluar në Tepelenë, normalisht, kam mbajtur qëndrime politike. Në Tepelenë rikthehesha pas takimeve që zhvillova për përgatitjen e protestës së 27 janarit që opozita zhvilloi në Tiranë. Në qendër të deklaratave që unë kam mbajtur në Tepelenë, kanë qenë akuzat për ish-ministrin Tahiri. Mbaj mend të kem thënë se “Edi Rama po e mbron Saimir Tahirin, në vend që t’ia dorëzojë atë drejtësisë. Nuk pranon t’i heqë imunitetin, por bën sikur ia heq atë, duke e bllokuar në Parlament. Këta gjejnë hajdutët e pasqyrave të makinave, si ka mundësi që iu ikin tre ishdrejtuesit e Policisë në arrati”.

Arrite t’i identifikosh personat që të kërcënuan?

Jo, nuk kam mundur. Personi që më drejtoi pistoletën ishte rreth 35 vjeç, ndërsa personin që drejtonte mjetin nuk arrita ta identifikoj si fytyrë për shkak të errësirës. Zërat e tyre i kam që të dy të memorizuar.

Çfarë ndodhi më pas?

Ndërkohë që ndodhën këto zhvillime, në korsinë përballë u shfaq një mjet me drita të gjata. Kur ndjeu se po afrohej një mjet përballë, ky që kishte pistoletën në dorë, instinktivisht, ktheu kokën dhe u shpërqendrua. Në atë moment, kam shtyrë dorën e atij që më kishte drejtuar pistoletën dhe i kam dhënë gaz makinës dhe u largova me shpejtësi. Nuk kam parë më, nëse ka ardhur njeri nga pas apo jo. Tentova disa herë të telefonoja Policinë, por ishte e pamundur. Më pas, kur bëra denoncimin më thanë se ajo është një zonë e pambuluar nga Policia. Rrugës po kërkoja për efektivë policie, por ishte e pamundur. Dhe patrulla e parë që kam takuar ishte pranë një qendre tregtare në qytetin e Fierit. Aty kam ndaluar dhe kam raportuar për atë që më kishte ndodhur dhe ata më kanë adresuar për të bërë denoncimin në Komisariatin e Patosit. Arsyeja që nuk e kam bërë publik kërcënimin, është sepse kam pritur dhe vijoj të pres që ngjarja të zbardhet. /Panorama/