Duke folur në Samitin “Western Balkans at a Crossroads”, organizuar nga Friends of Europe në Bruksel, kreu i qeverisë shqiptare iu përgjigj interesimit të të rinjve përmes pyetjeve që i drejtonin panelit.

Ndërkohë Rama kërkoi anëtarësim të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, në të kundërt, sipas tij, këto vende mund të joshen nga ofertat e Rusisë, Kinës dhe Turqisë.

“Nuk jam shumë dakord apo tërësisht me miken tonë këtu që përmendi Turqinë, Rusinë, Kinën si vende që s’kanë ç’të ofrojnë. Po, po, kanë shumë të ofrojnë. Rusia për shembull ka një rrugë shumë të lehtë për të ofruar. Harroni shtetin e së drejtës, harroni institucionet, mbaje pushtetin për gjithë jetën dhe nuk është pa interes. Dhe kanë para që të mund t’i derdhin dhe nuk është se ka ndodhur në ndonjë pyll në Siberi, ka ndodhur në mes të Europës që qeveria, që Kryeministri gjatë zgjedhjeve u kërcënuan me vdekje dhe Kryeministri gati u vra dhe kjo ndodhi në Malin e Zi, një vend që negocion në BE. Pra, rreziku është real, është rrezik i pranishëm, siç do thonin kolegët tanë amerikanë. Por që Kina mendon në afat të gjatë, për 20 vite të tjera, ndërkohë që këtu mendojmë për 4 vjet, megjithatë nuk mund të themi që nuk kanë asgjë për të ofruar, dhe ju harruat edhe një forcë tjetër që është islami radikal. Në rajonin tonë ne jemi shumë etnikë, shumë fetarë, shumëçka dhe tashmë me gjithë këtë shumëllojshmëri ne duam BE. Në qoftë se BE nuk do të vrapojë, të presë, por të vrapojë të na kapë, atëherë më besoni do të kenë një larmi problemesh të tjera që do të nisin dhe do të jetë shumë herë më e kushtueshme që të martoheni me ne”, tha Rama.