Deputeti Tritan Shehu denoncoi sot strategjinë e re të shëndetësisë si një projekt që do të largojë shërbimet nga qytetarët.

Ai tha se spitalet në rrethe do të mbyllen duke detyruar qytetarët të udhëtojnë larg për shërbime shëndetësore.

“Ajo që lexohet qartë është se në Shqipëri do të ngelin vetëm 11 spitale në rrethe, të tjerat do të kthehen në "qendra shëndetësore e urgjence". Spitale të rëndësishme si i Përmetit, Tepelenës, Lushnjës, Pogradecit, Sarandës etj, nuk do të funksionojnë më si të tillë!-tha deputeti Tritan Shehu.

Ai theksoi se e ashtuquajtura “zgjidhje e qeverisë do të jetë mbyllja e spitaleve, ulja drastike e shtretërve, koncentrimi asfiksues i shërbimit që mbetet në pak qendra, duke e larguar atë nga qytetarët!“

Deputeti Shehu vuri në dukje se Ministrja e Shëndetësisë nuk foli asnjëherë për shëndetësinë falas, një premtim me të cilin Rama mashtroi shqiptarët për të ardhur në pushtet.

Deputeti i PD akuzoi qeverisë se kjo strategji do të shkatërrojë sistemin shëndetësor vetëm për të mbajtur konçesionet korruptive. Tritan Shehu paralajmëroi qytetarët që të përgatiten për ditë më të vështira.