Ish-ministri i jashtëm i Serbisë dhe tashmë lider i Lëvizjes për Ringjalljen Serbe, Vuk Drashkoviq po i përkrah deklarimet e Presidentit serb Aleksandar Vuçiq se dëshiron ta zgjidhë problemin me Kosovën.

Duke iu referuar deklarimeve të tij në Samitin e Sofjes, Drashkoviq thotë se Vuçiq po i paraqet qëndrimet reale për Kosovën pasi e di se e ka humbur atë, njofton Klan Kosova.

Kështu shkruan Danas, në një artikull në të cilin është intervistuar ish-ministri i jashtëm serb Vuk Drashkoviq.

"Vuçiq na e kujton me kujdes, pasi e di edhe ai se Kosova është e humbur, kjo është një luftë që ne e kemi nënshkruar, pra nuk ka shtet të Serbisë në Kosovë. Vendosi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë se ky vendim nuk është në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara”.

Drashkoviq ka theksuar se qëndrimi i tij kundër referendumit për Kosovën është pasi serbët nuk po i njohin faktet dhe po e cilësojnë Kosovën pjesë të Serbisë.

”Kjo duhet të shmanget pasi njerëzit nuk e dinë aspak pra, nuk i njohin faktet. Njerëzit mendojnë se Kosova është pjesë integrale e Serbisë”.

Saktësisht duke kërkuar për një zgjidhje me Kosovën, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq së fundi ka zhvilluar vizita në Gjermani, Turqi e Rusi, njofton Klan Kosova.