Mediet britanike japin alarmin për afrimin e gripit të frikshëm australian, që do të jetë sipas tyre më i keqi në 50 vite.

Virusi “H3N2” fajësohet deri tani për 100 mijë raste dhe ekspertët e shëndetësisë mendojnë se është e pashmangshme që ai të “mbërrijë në Mbretërinë e Bashkuar”. Sipas tyre, ky lloj i sëmundjes mund të marrë po aq jetë sa gripi i tmerrshëm i Hong Kongut në vitin 1968, që shkaktoi 1 milion viktima, raporton The Sun.

Autoritetet shëndetësore në Britaninë e Madhe kanë udhëzuar spitalet në të gjithë vendin ishullor që të rezervojnë një sasi shtretërish për personat që do të paraqiten në javët e ardhshme me simptomat e këtij gripi.

Gjithashtu ata kanë rekomanduar popullsinë të bëjë vaksinën antigrip, për të shmangur pasojat e rënda me të cilat mund të shfaqet gripi australian.