Universiteti “Aleksandër Moisiu” (UAMD) dhe Aleanca Franceze Durrës (AFD) nënshkruan këtë të mërkurë më 18 prill, një Marrëveshje Bashkëpunimi me qëllim zhvillimin e bashkëpunimit akademik dhe promovimin e ndërsjellë të aktiviteteve të dy institucioneve.

Në marrëveshjen e firmosur nga Rektorja e UAMD-së Prof. Dr. Kseanela Sotirofski dhe Presidentja e AFD-së, znj. Valbona Sako, të dy institucionet bien dakord të zhvillojnë aktivitete në fusha akademike me interes të përbashkët duke u bazuar në principet e barazisë dhe reciprocitetit si më poshtë:

Bashkëpunim në fushën e programeve të veçanta akademike; Pjesëmarrje në seminare, konferenca, evenimente dhe takime akademike; Aktivitete dhe publikime të përbashkëta në kërkim shkencor; Shkëmbim të materialeve akademike si dhe informacione të tjera të nevojshme.

Aleanca Française e Durrësit, nga ana e saj, angazhohet të jetë burim për formime të cilësuara gjuhësore, si dhe shërbime të tjera (përkthim, interpretim), gjatë kontaktit me partnerët francezë apo frëngjishtfolës.

Kjo marrëveshje bashkëpunimi do të jetë në fuqi për një periudhë 5-vjeçare.