Sot është Kurban Bajrami. Besimtarët myslimanë shqiptarë ashtu si në gjithë botën falën Namazin në orën 06:50.

Kurban Bajrami është festa e dytë e këtij viti në kalendarin islam dhe pas faljes së mëngjesit, rituali vazhdon me prerjen e kurbanit dhe me vizitat familjare dhe miqtë për të përcjellë urimet për njëri-tjetrin. Kurban Bajrami është ditë që lidhet me sakrificën që bëhet në emër të profetit Ibrahim dhe në këtë ditë besimtarët myslimanë flijojnë edhe një kafshë.

USHQIMET PËR KURBAN BAJRAMIN

Sigurisht përbërësi kryesor që zë vend në tavolinën e festës së Kurban Bajramit është mishi i therur për këtë festë. Mishi nga kafsha e flijuar, ndahet në tre pjesë: Familja mban një të tretën; një e treta tjetër jepet për të afërmit, shokët dhe fqinjët; ndërsa një e treta e mbetur u ndahet të varfërve dhe nevojtarëve. Zakonisht për këtë festë një nga pjatat që nuk mungon është supa. Supë e thjeshtë me lëng mishi, vezë, limon, pak miell dhe erëza. Byrek me barishte ose vezë dhe djathë, ose vezë me kos.

Sigurisht mishi nuk mungon asnjëherë në tavolinën e kësaj feste. I pjekur në furrë me patate ose thjesht i gatuar për t’u vendosur në anë të pjatës me orizin e gatuar.
Sallatat e çdo tipi, me perime të gatuara, të freskëta etj.

Ndërsa ëmbëlsirat më të preferuara janë sigurisht ato tipike turke: bakllavaja, revanija, shëndetlia, sheqerparet, por sigurisht mund ta kaloni gëzuar dhe me ndonjë tortë të blerë apo ëmbëlsirën që preferoni.

Duhet të keni parasysh që në tavolinën e Kurban Bajramit nuk duhet të ketë asnjë gatim me mish derri dhe asnjë pikë alkool.