Në listën e 6 ish-ministrave të lënë jashtë kabinetit qeveritar “Rama 2” janë dy kryesueset e listës së Durrësit, Milva Ekonomi, ish-ministre e Ekonomisë dhe Eglantina Gjermeni, ish-ministre e Zhvillimit Urban.
Në zgjedhjet e 25 qershorit, Rama i katapultoi Ekonomin dhe Gjermenin në krye të listës së kandidatëve për deputetë të qarkut të Durrësit.
Megjithëse në fjalimin e fitores pas 25 qershorit, Rama u shpreh se skuadra e qarkut të Durrësit theu çdo rekord historik, në qeverinë e prezantuar mesditën e së dielës nga kryeministri nuk ka asnjë përfaqësues nga qarku bregdetar.
Eglantina Gjermeni, ish-ministre e Zhvillimit Urban, e mbajti këtë post përgjatë gjithë mandatit të qeverisë së parë Rama, ndërkohë që Milva Ekonomi u vu në postin e Ministres së Ekonomisë në 22 shkurt të 2016, kur zëvendësoi në këtë post Arben Ahmetajn, që u vu në drejtim të Ministrisë së Financave.
Më parë ajo ka mbajtur në qeverinë Rama postin e zv/ministres së Shëndetësisë.
Duket se kryeministri Rama nuk ka qenë i kënaqur nga performanca e këtyre zonjave në qeveri, duke mos u propozuar më të mbajnë post ministror.
M.P.





