Xhoana Nano, bashkëshortja e ish-kryeministrit Fatos Nano, lëviz me një fuoristradë “Maserati” dhe me shofer. Ndërkohë i shoqi, Fatos Nano, lëviz me një makinë po kaq luksoze, tip veturë, të markës “Maserati”, makina që njihen si shumë të shtrenjta dhe që i preferojnë përgjithësisht të pasurit në botë.

Nano nuk e ka fshehur asnjëherë pasionin e tij për makina dhe dëshirën për t’i nisur vetë edhe kur ka qenë Kryeministër. Dhe si gjithmonë, targa e tij e preferuar është 007, të cilën e ka në të dyja makinat e familjes. Kësaj here ai është fotografuar me të shoqen dhe dy makinat e tyre, në zonën e ish- Bllokut.

Dy makinat superluksoze të parkuara pranë njëra-tjetrës kanë rënë menjëherë në sy të kalimtarëve, edhe pse duhet thënë se në Tiranë tashmë makinat luksoze nuk mungojnë. Por prezenca e ishkryeministrit pranë tyre, ishte një arsye më shumë për të pasur kuriozitet. Kujtojmë se Fatos Nano nuk është më pjesë e politikës që prej vitit 2009, kur dhe ishte deputet i Grupit të PS.

Ka pasur ndonjë dalje sporadike në media, ku sulmonte pasardhësin e tij, kryetarin e PS-së Edi Rama. Vazhdimisht ka pasur spekulime mbi mundësinë e rifutjes në politikë të Nanos, ashtu siç thuhej vazhdimisht se ekziston një grup i fortë pro Nano brenda Grupit të PS, që mund të quhen ndryshe edhe të pakënaqurit nga lideri i ri Rama.

Megjithatë, të gjitha këto kanë mbetur thjesht fjalë, pasi Nano duket që nuk ka ndërmend t’i rikthehet politikës, as edhe thjesht për të dhënë mendimin e tij mbi aktualitetin apo për tema të rëndësishme ku jo rrallëherë bëhen pjesë të debatit ish-kryeministra apo ish-presidentë. Ndërkohë ai ka zgjedhur jetën e qetë dhe luksoze, pasi jeton në një vilë në një rezidencë në Lundër dhe bën një jetë me udhëtime dhe qejfe të tjera, që kërkojnë jo pak para. /