Një sasi e madhe droge është sekuestruar të dielën nga policia franceze dhe janë arrestuar anëtarët e rrjetit të trafikut.
Sipas mediave franceze, të dielën janë sekuestruar 1.3 ton kokainë në një vilë në Bordeaux, e cila ishte e destinuar për të furnizuar tregun evropian.
Lënda narkotike bëhet me dije se ishte nisur nga Kolumbia. Plot 23 persona janë arrestuar si anëtarë të këtij rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës.
Mes të arrestuarve janë 3 shqiptarë, 11 kolumbianë, 3 francezë, italianë dhe një turk. Disa prej tyre u kapën në flagrancë në vilën ku ndodhej kokaina.





