Kategoria Superiore është pushim, meqë në “skenë” i duhet të ngjitet kombëtarja. De Biazi dhe kuqezinjtë do të luajnë më 24 mars kualifikuesen e radhës në Grupin G, kundër Italisë, në Palermo, ndërsa më 28 mars do të ballafaqohen me boshnjakët, në “Elbasan Arena”, një sfidë miqësore kjo. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë pushim për FSHF-në, që ka hedhur shortin e Gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë. Besëlidhja-Tirana dhe Skënderbeu-Teuta janë çiftet e këtij raundi, të kompeticionit të dytë kombëtar për nga rëndësia. Gjysmëfinalet e para do të luhen më 5 prill (vajtje) dhe ato të dytat më 19 prill (kthimi). Pasi kanë mësuar kundërshtarët, përfaqësuesit e katër klubeve kanë dhënë mendimin e tyre.

Devi Muka i Tiranës thotë: “Besëlidhja u ka hapur probvleme, duke i eliminuar, edhe ekipe të tjera të mëdha (Partizani e Flamurtari), kështu që meriton vlerësim maksimal. Nuk është se shikoj favoritë në këto përballje, sepse të katër ekipet gjysmëfinaliste mund të ecin përpara dhe ta fitojnë trofeun”. Nga ana tjetër, Gjokë Noka, presidenti i ekipit lezhjan, ka shtuar: “Më pëlqen që do të luajmë me Tiranën. Do të luajmë futboll. Kam shumë besim tek ekipi im. Patjetër do t’ia dalim me sukses, do ta shihni!” Në emër të “djemve të detit” është pronocuar Edmond Salillari: “Në ndeshjet e Kupës, shanset janë 50-50, çfarëdolloj ekipi të të bjerë si kundërshtar. Kësisoji, shpresojmë të dalim me sukses në gjysmëfinale dhe të kualifikohemi.” Mario Nikolli nga Skënderbeu nënvizon: “Pavarësisht dëshirës që mund të kishim për kundërshtar në këtë raund të Kupës së Shqipërisë, ishin goglat, ato që na përcaktuan Teutën. Të katër ekipet, përderisa kanë ardhur deri këtu, janë të denja. Secili do të japë më të mirën për të siguruar finalen, duke qenë me sytë nga fitimi i trofeut”.