Autoritetet në Mozambik ndaluan të shtunën 12 iranianë, të cilët transportonin drogë me anije drejt provincës veriore të Cabo Delgado. Anija u pikas rreth 50 kilometra nga brigjet e Mozambikut në një operacion të përbashkët të ndërmarrë nga marina e Mozambikut dhe Shërbimin Kombëtar të Hetimit Kriminal. 

Sipas asaj që shkruan BBC, pak momente përpara se të arrestoheshin trafikantët i vunë zjarrin anijes. Policia thotë se zjarri arriti të shkatërronte rreth 1.5 ton heroinë që ndodhej në bord.

Trafikantët u hodhën nga anija në Kanalin e Mozambikut por tre prej tyre humbën jetën, ndërsa 12 të tjerë u shpëtuan nga Marina.

Të dyshuarit, të gjithë më kombësi iraniane, ndodhen të ndaluar në kryeqytetin e provincës, Pemba. Mediat lokale raportojnë se operacioni erdhi falë informacioneve të mbledhura nga disa agjenci ligjzbatuese.