Në të gjithë botën, 1 Maji konsiderohet ditë protestash dhe sindikata që mbështesin punëtorët mbushin sheshet kryesore të vendeve të ndryshme duke kërkuar kushte dhe paga më të mira, ndërsa në Shqipëri konsiderohet thjeshtë ditë pushimi.

Shqiptarët duken të kënaqur nga kushtet mizerabël të punës dhe pagat minimale, ndaj edhe relaksohen duke e festuar këtë ditë simbolike kushtuar klasës punëtore.

Asnjë sindikatë nuk ndërmori ndonjë nismë sot për të protestuar në këtë ditë kushtuar punëtorit. Të vetmit që protestuan në mënyrë simbolike ishin të rinjtë demokrat të Durrësit, të cilët kishin organizuar një protestë paqësore pranë ambjenteve të Zyrës së Punës në qytetin bregdetar.

Ata kërkuan që shqiptarët të zgjohen, të kërkojnë të drejtat e tyre dhe të mos qëndrojnë indiferent dhe të gjejnë si shpëtim largimin nga vendi.

Të rinjtë demokrat vendosën në vetratën e godinës së institucionit të punës afishe me mbishkrime të ndryshme. Pasi përfunduan tubimin, të rinjtë pastruan vendin, ndërsa protesta u monitorua edhe nga forcat e rendit.

K.H.