Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve ka nisur me protesta në Durrës. Për të dytën ditë me radhë, sot peshkatarët janë ngritur në protestë, pasi asnjë anije nuk ka dalë në det si rezultat i mosfurnizimit me naftë pa akcizë.
Kreu i Shoqatës së Menaxhim Peshkimit, Qemal Beu, deklaron se kompanitë e naftës që i furnizonin më parë me çmim burse janë ndërruar, e tani po furnizohen me çmim shumë më të lartë se bursa.
“Para se të binte tërmeti peshkimi funksiononte normalisht. Ka rreth 6 muaj, kompanitë importuese që operojnë në BishtPallë, në mënyrë të pabesë e të paturpshme, ndërpresin furniznimin me karburant për anijet e peshkimit e gjatë kësaj periudhe është një kompani fantazmë që nuk ja dimë emrin. Çmimi në të vërtëtë është trefish më i ulët, ndërsa tek ne jepet trefish më i lartë. Na kanë prerë në besë. Kërkojmë furnizim me çmim burse, kaq kërkojmë”, thotë Beu.
Edhe Kreu i Sindikatës së Peshkimit në Durrës, Klodjan Kapiti, ngre si shqetësim faktin se prej 10 vitesh kërkojnë që furnizimi me karburant në flotën e peshkimit të bëhet me çmim burse, duke paguar TVSH dhe shërbimin. Ai parashtoron dy kërkesa thelbësore:
“Anijet e peshkimit duhet të furnizohen çdo ditë me çmimin e bursës ditore që del po atë ditë. Anijet e peshkimit nuk duhet të ndalohen në mënyrë kategorike. Mund të furnizohen te vendet e rajnonit ku e kanë të lejueshme me ligj”, thotë Kapiti, i cili thekson se ky kaos duhet sqaruar sa më parë.
Në bursë nafta ka rënë dukshëm pas shpërthimit të pandemisë Covid-19. Por anijet e peshkimit në Durrës vijojnë të funizohen me naftë me çmim të lartë. Kështu prej dy ditësh Peshkimi ka mbyllur dyert e portit duke u hedhur në një protestë pa afat.
Industria e peshkimit është një prej më të rëndësishmeve në Durrës ku në zinxhirin e saj janë të punësuar mbi 2 mijë persona. Gjatë periudhës së pandemisë peshkatarët kanë punuar me kapacitet të ulët për shkak të bllokimit të punës në restorante.
Një tjetër protestë u zhvillua sot në qytetin e Durrësit, nga tregtarët e rrobave të përdorura, të cilët thonë se duhet të nisin punën ose të marrin pagë lufte nga shteti pasi kanë prej 10 marsit pa punë.





