Kryetari i Gjykatës së Lartë ka kaluar Vettingun. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar sot në detyrë Xhezair Zaganjorin. Sipas KPK, Zaganjori ka rezultuar i pastër në të tre shtyllat e vlerësimit. Kryetari i Gjykatës së Lartë nuk ishte i pranishëm në seancën e Komisionit, ndërsa e pranishme ishte këshilltarja.

Trupa, pasi mori në shqyrtim dokumentacionin, kreu një hetim të thelluar administrativ dhe vendosi konfirmimin në detyrë të Kryetarit të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori

Vendimi i arsyetuar pritet që të publikohet në faqen zyrtare të KPK pas 15 ditëve. Aktualisht Gjykata e Lartë është me vetëm 6 anëtarë, ndërsa në ditët në vijim pritet që të kalojnë në filtër edhe anëtarët e tjerë.

Në seancën e kaluar në datë 20 korrik, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi se Xhezair Zaganjori shmangu tatimet dhe gënjeu për pronat. Sipas KPK, ai ka shmangur detyrimet tatimore ndaj shtetit, duke gënjyer për vlerën e pronave të regjistruara në hipotekë me vlerën e tyre reale. Pasuria e kryetarit të Gjykatës së Lartë llogaritet rreth 1 miliard lekë.