PPresidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka mbyllur takimin që zgjati më shumë se një orë me kryeministrin Edi Rama. Palët u takuan sot si pjesë e vizitës zyrtare të numrit 1 të futbollit europian në vendin tonë, për të diskutuar çështje të ndryshme.

Një nga më delikatet është ajo e zhvillimit të finales së Ligës së Konferencës në Tiranë në muajin maj, në stadiumin “Air Albania” dhe pikërisht impianti kryeqytetas ka qenë etapa e radhës e vizitës së Ceferin në Tiranë.

Por gjithashtu mendohet se pjesë e diskutimit, mund të kenë qenë edhe zhvillimet e fundit mes presidentit të FSHF-së Armando Duka dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj i cili u shfaq në disa përgjime ku shprehte qartë dëshirën për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhshme brenda federatës.

Menjëherë pasi është larguar nga kryeministria, ai është shoqëruar në stadiumin e kryeqytetit, ku Ceferin ka inspektuar disa ndryshime që janë bërë që nga vizita e tij në vitin 2019 kur u inaugurua ky impiant në ndeshjen me Francën, mes të cilave edhe vendosja e një tapeti me bar hibrid.

AXHENDA –

Aleksandër Ceferin ka mbërritur në orën 12:30 në aeroportin “Nënë Tereza”, ndërkohë në orën 13:00 u prit nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, për të drekuar.

Më pas në orën 15:00 u takua me kryeministrin Edi Rama në ambientet e kryeministrisë dhe më pas presidenti i UEFA-s do të vizitojë zyrat e reja të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Qëndrimi i Ceferinit në Tiranë do të zgjasë rreth 5 orë e gjysmë, ndërsa në orën 18:00 ai do të largohet nga Shqipëria.

12:30 – Mbërritja në Aeroportin “Nënë Tereza”

13:00 – Dreka me presidentin e FSHF-së, Armand Duka

15:00 – Takim në kryeministri me kryeministrin Edi Rama

16:00 – Vizitë në zyrat e reja të Federatës Shqiptare të Futbollit

18:00 – Largimi nga Shqipëria