Tiranë, 1 qershor 2014 – Me rastin e 1 Qershorit, në mbarë vendin po zhvillohen aktivitete të ndryshme për fëmijët, të organizuara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Drejtoritë Arsimore Rajonale.
Zv/ministrja e Arsimit, Nora Malaj, ftoi dje të gjithë qytetarët, prindër, gjyshër dhe gjyshe që t'u bashkohen festimeve të organizuara nga MAS në këtë ditë, nën moton "Fëmijë të lumtur, prindërim i suksesshëm, shoqëri e realizuar".
"Çdo investim i sigurtë te fëmija është garanci për të ardhmen. Si prind, si mësuese, si pedagoge, si politikane, data 1 Qershor le të shërbejë për të garantuar ëndrrat e fëmijëve tanë aq shumë të premtuara nga të gjithë ne. Le të lëmë mënjanë debatet, retorikat boshe dhe të gëzojmë me fëmijët tanë", – tha Nora Malaj.
“Fëmijë, prindër dhe mësues! Çdo buzëqeshje e fëmijës është frut dhe shpërmblimi më i mirë për punën tonë, si prind e si mësues, në familje e në shkollë”,- shkruan ministrja e Arsimit ne profilin e saj ne Facebook, ku fton femije e prinder te behen pjese e aktiviteteve qe ka pergatitur institucioni qe drejton.
Në kryeqytet kushtuar 1 Qershorit, si dhe në kuadër të promovimit të vlerave të aktivitetit fizik e sportiv, Ministria e Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Federatat Shqiptare të Sportit, organizoi në ambientet e Agjencisë së Zhvillimit të Sportit (ish-kompleksi "Dinamo") aktivitetin festiv e sportiv "Sport, festë, ngjyra", në të cilin merrnin pjesë fëmijët e shkollave 9-vjeçare të qytetit të Tiranës. Po ashtu në çdo kopsht dhe shkollë në kryeqytet do të ketë program artistik me këngë, valle e recitime, por edhe veprimtari sportive.
DAR Tirana ka parashikuar edhe ekskursione në zona pranverore të Tiranës, si dhe një takim me mësues veteranë me temë "Kujtime që nuk harrohen". Aktivitete janë parashikuar në të gjitha qarqet e vendit, të cilat janë realizuar nga Drejtoritë Arsimore dhe Zyrat Arsimor përkatëse.
AVOKATI I POPULLIT SHPËRNDAN DHURATA PER FEMIJET ROM
Ndërkohë, Avokati i Popullit Igli Totozani ka shpërndarë dhurata për fëmijët e komunitetit rom me rastin e 1 Qershorit.
"Fëmijët janë thelbi i jetës sonë dhe fokusi ynë. Ditë si kjo e sotmja duhen për të parë problemet tuaja . Ju nuk protestoni por duhen veshë që t’ju dëgjojnë . Për ne problemet tuaja të vogla janë bota e madhe.”- deklaroi Totozani.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





