1 Qershori i hareshëm i fëmijëve ndjehet ndryshe kur shikon buzëqeshjet e vogëlushëve të “Qendrës Komunitare Multifunksionale” në Rrashbull të Durrësit.

Kështu shprehet deputeti Jurgis Çyrbja, i cili ka zgjedhur që në festën e vogëlushëve të gëzojë fëmijët në nevojë pranë kësaj Qendre Komunitare, duke iu shpërndarë disa dhurata si dhe duke festuar bashkë me ta.

Kjo qendër komunitare e cila ka si funksion zhvillimin e fëmijëve në nevojë, u përfshi sot nga një atmosferë e gëzueshme mes të qeshurave dhe shfaqjes së përgatitur me aq përkushtim nga fëmijët.

Deputeti tregon pse kënaqësia më e madhe ishte e tij, teksa jep edhe një mesazh të rëndësishëm për të gjithë shoqërinë:

“Kënaqësia më e madhe ishte e imja, që isha spektator dhe mik njëherësh, në këtë ditë të veçantë me një simbolikë kaq të rëndësishme.
1 Qershori përtej festës dhe dhuratave është një ditë reflektimi se zhvillimin e vendit tonë ja kemi për detyrim fëmijëve, që të rriten në një vend më të dashur, më të drejtë dhe më gjithëpërfshirës. Që ata të ndjekin ëndrrat dhe pasionet e tyre. Sepse bota padyshim i përket çiltërsisë së gjithë fëmijëve!”,
përfundon mesazhin e tij Jurgis Çyrbja.