DURRËS, 10 nëntor 2014 – Pas një kohe të gjatë pa ujë të pijshëm, një pjesë e banorëve që jetojnë në kodrën e Rrashbullit, tashmë furnizohen normalisht me ujë të pijshëm. Ujësjellës Kanalizime Durrës përfundoi të dielën në mbrëmje investimin për shtrimin e linjës së re me tubacion 90 dhe 63 mm për afro 90 shtëpi që gjenden në këtë zonë. Bashkë me rrjetin janë instaluar edhe 8 kolektorë të përbashkët, ku janë instaluar matësat e rinj. Investimi në fjalë është kryer nga fonde të vetë UKD-së dhe konsiston vetëm në hapjen e 500 m/l kanal ku është futur tubacioni 90 mm dhe 100 m/l ku është vendosur tubacion 63 mm. Po kështu janë ndërtuar edhe 8 kolektorët e përbashkët për vendosjen e matësave. Në zonën në fjalë jetojnë rreth 500 banorë të ardhur nga i gjithë vendi.

Uji u ndërpre në qershor të vitit 2013 dhe që nga ajo kohë banorët kanë pasur ankesa të vazhdueshme për rifurnizim me ujë të pijshëm. Inxhineri i UKD-së Lorenc Facja tha se: “zona në fjalë ka qenë në plan për t'u furnizuar e gjithë me ujë që në vitin 2010, por çuditërisht këta banorë, u lanë pa ujë të pijshëm. Këtu gjenden  90 shtëpi që tashmë do të kenë ujë rregullisht sipas grafikut të furnizimit e ujë të pijshëm për gjthë popullatën e Durrësit”.  Pas sigurimit të materialeve të nevojshme, UKD-ja ka nisur një sërë investimesh të tilla duke shtrirë linja për furnizimin me ujë, në zona ku ka pasur mjaft probleme në të shkuarën. Një investim i ngjashëm pritet të realizohet së shpejti edhe tek kodra pas spitalit dhe në vazhdim në drejtim të Spitallës. 

/th.m. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/