Kur mbushet një vit nga vrasja e Asllan Kërtushës, zhvillime të reja vijnë nga Gjykata e Durrësit, ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj 31-vjeçarit Bledar Kajno, i akuzuar për vrasjen e të riut 29-vjeçar.
Siç mëson DurrësLajm, Gjykata e Durrësit ka ndryshuar akuzën e ngritur nga prokurori Drini Pali, për autorin, Bledar Kajno.
Burimet zyrtare nga Gjykata e Durrësit kanë bërë me dije se me vendim të treshes së trupit gjykues, të kryesuar nga relatori Petraq Curri, në seancën e fundit është vendosur që i pandehuri të gjykohet me akuzën “Vrasje me dashje” .
Menjëherë pas vrasjes së Kërtushës, Prokuroria e Durrësit e akuzoi Kajnon për "Vrasje me dashje me paramendim”, por 6 muaj më pas, prokuroria ndryshoi akuzën në “Vrasje e kryer në kushte të thella të tronditjes psikike”, bazuar në nenin 82 të Kodit Penal.
Por ndryshimi i akuzës në mes të procesit gjyqësor nxiti reagimin e fortë të familjarëve të viktimës, të cilët akuzuan Prokurorinë se po favorizonte vrasësin dhe bashkëpunëtorin e tij.
Në seancën e fundit, ku i pandehuri u akuzua për “Vrasje me dashje” gjyqi u zhvillua pa praninë e medieve.
I përfshirë në këtë vrasje eshtë edhe kushëriri i Bledar Kajnos, Gëzim Kajno, i akuzuar si bashkëpunëtor.
Gëzim Kajno mbeti i plagosur mbrëmjen e vrasjes së Kërtushës dhe akuzohet për moskallëzim krimi. Avokati mbrojtës kërkoi ndryshim të masës së sigurisë, por kjo kërkesë nuk u mor parasysh nga Gjykata.
Kujtojmë se Asllan Kërtusha u vra mbrëmjen e 1 marsit 2016, në lokalin “Lord’s”, në lagjen nr.17, lokal ky në pronësi të Bledar Kajnos.
K.H.





