Një 28-vjeçar norvegjez, i cili punonte si roje sigurie në ambasadën e SHBA-së në Oslo, është dënuar me 3 vite e 7 muaj burg për spiunazh në shërbim të Rusisë dhe Iranit, sipas vendimit të publikuar këtë të enjte, më 16 tetor.
Sipas aktakuzës, i riu kishte ofruar plane dhe informacione për aktivitetet e ambasadës amerikane nga marsi deri në nëntor të vitit 2024, në këmbim të 10,000 eurove nga pala ruse dhe 0.17 bitcoin nga pala iraniane.
Në vendimin e shpallur mbrëmjen e kaluar, Gjykata e Oslos konstatoi se informacionet e transmetuara ishin “të një natyre që mund të përdoreshin për veprime të drejtpërdrejta dhe sulme fizike ndaj personave të përfshirë”.
Sipas trupit gjykues, “i pandehuri ishte i vetëdijshëm se publikimi i këtyre të dhënave mund të dëmtonte interesat e sigurisë së SHBA-së”.
Gjatë gjykimit, i riu pranoi faktet, duke pohuar se veproi si formë proteste kundër qëndrimit të SHBA-së në luftën në Gazë, por mohoi akuzën për spiunazh të rëndë, për të cilën megjithatë u shpall fajtor.
Ai pretendoi se informacionet që kishte dorëzuar nuk ishin të klasifikuara. Avokatja mbrojtëse, Inger Zadig, deklaroi se ende nuk është marrë vendimi për apelim, ndërsa kritikoi vendimin duke thënë se gjykata kishte përdorur “një interpretim shumë të gjerë” të ligjit për ofrimin e paligjshëm të informacionit.
“Klienti im kishte akses të kufizuar, si një kujdestar i zakonshëm në ambasadë. Informacionet që ka ndarë ishin pa vlerë dhe nuk mund të dëmtonin askënd, as individualisht dhe as në tërësi,” theksoi avokatja.
Sipas hetimeve, në Norvegji, Serbi dhe Turqi, i pandehuri u kishte dhënë autoriteteve ruse dhe iraniane emra, adresa, numra telefoni, targa makinash të diplomatëve dhe punonjësve të ambasadës amerikane, përfshirë dhe të dhëna për familjarët e tyre.
Ai kishte dorëzuar gjithashtu plane të ndërtesës së ambasadës, procedura sigurie, si dhe e-mail-e të përdorura nga shërbimet sekrete norvegjeze. Prokuroria kishte kërkuar një dënim më të ashpër, gjashtë vite e katër muaj burg, për një vepër që mund të dënohet deri në 21 vite heqje lirie.





