Në kuadër të zhvillimit të aktiviteteve kryesore stërvitore të Forcave të Armatosura për vitin 2017, në Komandën e Forcës Detare në Plepa të Durrësit u zhvillua konferenca kryesore planëzuese për stërvitjen ndërinstitucionale “Durrësi SarEx 17”.

Sipas Forcës Detare, pjesëmarrës në këtë konferencë ishin përfaqësues të Forcës Detare, e cila është edhe organizatore e kësaj konference, përfaqësues nga Forca Ajrore, Forca Tokësore, Drejtoria e Operacioneve në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Qendra Kombëtare e Kërkim Shpëtimit, Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare, Policia e Kufirit dhe Migracionit Durrës si dhe Antikontrabanda Detare.

Gjatë kësaj konference u zhvillua planëzimi i çështjeve kryesore për zhvillimin e stërvitjes "Durrësi SarEx 2017", e cila është një stërvitje që angazhon institucionet e sipërpërmendura  në veprime të përbashkëta për kryerjen operacioneve të kërkim shpëtimit (SAR), në përgjigje të fatkeqësive apo krizave të ndryshme humanitare në det, si dhe zbatimin e ligjshmërisë në hapësirën detare.

Qëllimi kryesor i stërvitjeve të tilla është rritja e koordinimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve që kanë  interesa në det, në dobi të ndalimit të aktivitetit kriminal  si dhe përgjigjen në raste krizash apo situatash të ndryshme detare.

Konferenca përfundimtare koordinuese do të jetë më datë 3 maj 2017 po në Komandën e Forcës Detare.

Stërvitja do të zhvillohet 10-11 maj 2017 në rajonin e Durrësit dhe drejtuese e saj është Forca Detare.

Th.M.