Anthony Scaramucci, drejtori i ri i Komunikimit në Shtëpinë e Bardhë shkarkohet nga detyra vetëm 10 ditë pasi mori emërimin.
Ky është i fundit mes largimeve të bujshme që kanë trazuar Uashingtonin këto ditë. Shefi i stafit, Rains Pribas u largua javën e shkuar, duke u zëvendësuar me John Kellyn, dita e parë në detyrë e të cilit ishte të hënën.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i cituar nga CNN tha se Kelly i kishte kërkuar Donald Trumpit shkarkimin e Scaramuccit nga posti i drejtorit të Komunikimit, pasi mendonte se atij i mungonte disiplina e se e kishte djegur kredibilitetin.
Sccaramuci, një personazh kompleks e kontrovers u bë shkak për polemika menjëherë pas ardhjes në Shtëpinë e Bardhë, pasi u përfshi në një grindje me ish-shefin e kabinetit Pribas, të cilin ai e sulmoi ashpër duke përdorur edhe fjalë të papërshtatshme.
Dorëheqja e shefit te kabinetit dhe zëdhënësit Sean Spicer erdhi pikërisht pas emërimit të financierit njujorkez që me pamjen e deklaratën e tij ndezi imagjinatën hollivudiane.
Shtëpia e Bardhë e njoftoi me një deklaratë të shkurtër largimin e Scaramuccit.
“Anthony Scaramucci do të braktisë rolin e tij si drejtor i komunikimit. Ai mendon se është më mirë t’i japë mundësinë shefit të ri të stafit John Kelly për të krijuar ekipin e tij. I urojmë gjithë të mirat”, thuhej në deklaratë.
Më herët gjatë ditës, presidenti amerikan Donald Trump përmes një postimi në “Twitter” këmbënguli se Shtëpia e Bardhe nuk ishte përfshirë nga kaosi.