TIRANË, 13 maj 2013 –10 ditë para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013 pritet që qeveria “të lajë duart” me menaxhimin, operimin, mirëmbajtjen e terminalit të trageteve në portin e Durrësit.

Duke filluar nga dita e parë e kësaj jave, 13 maj, deri më 13 qershor 2013, investitorë të interesuar vendas dhe / ose të huaj janë ftuar të marrin pjesë në procedurat konkurruese përzgjedhëse për dhënien me koncesion të menaxhimit, operimit, mirëmbajtjes të terminalit të trageteve në portin e Durrësit, “këtij aseti strategjik”, njofton Ministria e Punëve Publike dhe Transportit.

Sipas dikasterit që mbulon portin e Durrësit, “Qeveria shqiptare është e mendimit se sektori privat është në një pozicion shumë më të mirë të menaxhojë, të operojë dhe mirëmbajë Terminalin e Trageteve për përfitimin e përdoruesve të portit dhe të ekonomisë shqiptare në tërësi”.

Qeveria shqiptare po synon të përmirësojë cilësinë e shërbimeve në port, rritjen e produktivitetit dhe ofrimin e çmimeve të arsyeshme.

Por, nisur nga formulimi në gjuhën shqipe mbushur me gabime drejtshkrimore dhe strukturë sintaksore dhe morfologjike sipas gjuhës angleze, me sa duket, njoftimi shqiptar është përkthyer nga… anglishtja.

Ky fakt dëshmon se konsulenti i procedurës së koncesionit është i huaj dhe se njoftimi është i destinuar kryesisht për tregun ndërkombëtar.

Nuk dihet nëse mund të jetë parazgjedhur fituesi, me gjithë deklarimin “përmes një procedure konkurruese”.

Gjithsesi, Berisha po zbaton një ligj “socialist” të Nanos me nr. 9130 datë 08.09.2003 “Për Autoritetin Portual”, i cili kërkon nga Qeveria transformimin e portit të Durrësit në një portlandlord (pronar toke) duke transferuar shërbimet e portit sektorit privat.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/