Kabineti i “Ramës” është me 4 ministra më pak dhe të vetmit emra që janë përmendur si zëvendësues janë nga radhët e Partisë Socialiste. Pas shkarkimit ditën e shtunë të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, kryeministri Rama të njëjtin vendim ua ka komunikuar dje edhe 3 ministrave të tjerë, që njëkohësisht janë koordinatorë të PS-së në rrethe. Kreu i qeverisë Rama tha se nuk ishte kërkesa e PD-së3 arsyeja e shkarkimit, por as edhe të aleatit të vet në qeveri, Ilir Meta. Ai deklaron arsyen e forcimit të fushatës në rrethe por vendos të shkarkojë vetëm 4 ministra koordinatorë, Samir Tahiri, Ilir Beqaj, Blendi Klosi dhe Bledi Çuçi, duke mos bërë të njëjtën gjë me ministrat e tjerë, që njëkohësisht janë drejtues të fushatave në qarqe të ndryshme.

Katër të larguarit

Rama e nisi ditën me ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj në një aktivitet në Spitalin e Tramuës, e kjo përpara mbledhjes me 12 koordinatorët e partisë në selinë e PS-së, ku do t’i jepej propozimi i largimit nga posti ministror. Në mbledhje kryeministri i ka bërë të ditur idenë e lëvizjes së tre ministrave të tjerë, veç ministrit të Brendshëm, kjo e argumentuar me faktin e afrimit të zgjedhjeve parlamentare. Një takim prej 40 minutash me të gjithë koordinatorët dhe ka vendosur të firmosë largimin e katër prej tyre. Nga kabineti “Rama” janë larguar ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ministrisë i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi. Ndonëse pritej shkarkimi i të gjithë ministrave që kanë njëkohësisht detyrën e koordinatorit në rrethe, kjo nuk ka ndodhur, ndërsa sot është paralajmëruar një takim tjetër.

Ndërkaq, pas takimit asnjëri prej ministrave nuk preferoi të prononcohej për mediat lidhur me komunikimin që kishin pasur me Ramën dhe motivacionin apo dhe porosit që u kishte dhënë shefi i tyre. Ministrat u dukën të qetë në daljen pas takimit me Ramën në selinë rozë. Ministri Tahiri dhe ministri Beqaj kanë qenë ministrat më të akuzuar të kabinetit “Rama” prej opozitës. Ndaj Tahirit ka pasur pakënaqësi edhe nga aleati i Ramës, Ilir Meta për situatën e kanabisit në vend. Pakënaqësi nga LSI ka pasur edhe ndaj Beqajt për koncesionet në shëndetësi, ndërsa nga opozita për afera të shumta korruptive. Në takimin e thirrur nga Rama të pranishëm ishin kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi dhe nënkryetari i grupit të deputetëve socialistë, Taulant Balla. Në këtë takim ka qenë dhe kryebashkiaku Vangjush Dako i Durrësit.

Dhjetë emrat që lakohen

Asnjë emër i atyre që përfliten për zëvendësimin e ministrave të larguar nuk është i LSI. Për postin e ministrit të Brendshëm janë përfolur disa emra nga radhët e Partisë Socialiste. Më i mundshmi është konsideruar zv.kryeministri Niko Peleshi, për arsye se nuk ka mandat deputeti. Por, në listë është edhe ishkryeministri, Pandeli Majko. Burime nga selia rozë bëjnë me dije se, një emër po aq i mundshëm për zëvendësimin e Tahirit është ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj dhe ish-prokurori Vexhi Muçmataj. Askush nga PS nuk di të thotë emrin e sigurt që do të zëvendësojë Tahirin. Të gjitha emrat janë vetëm në tavolinën e kryeministrit. Ndërsa për zëvendësuesin e Klosit është përfolur vetëm një emër. Vendin e Klosit mendohet se do e zëvendësojë deputetja Blerina Gjylameti, e cila ka qenë mjaftë e angazhuar në fushatat e PS-së në zgjedhjet e pjesshme në Dibër dhe në Kolonjë. Të tjerë emra të përfolur është emri edhe emri i deputetit Fatmir Xhafaj dhe Eduard Shalsi. Ndërsa për postin e ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore mund t’i jepet Olta Xhaçkës, ose Evis Kushit, paravësisht se deputetja e Elbasanit përflitet dhe për postin e ministres së Mirëqënies Sociale. Deputetja socialiste e qarkut të Durrës, Klodiana Spahiu përflitet për postin e ministres së Shëndetësisë.

Emrat zëvendësues që përfliten

Ministria e Brendshme

Niko Peleshi

Pandeli Majko

Vexhi Muçmataj

Ermonela Felaj

Ministria e Mirëqenies Sociale

Blerina Gjylameti

Evis Kushi

Ministria e Shëndetësisë

Klodiana Spahiu

Emra të tjerë

Fatmir Xhafaj

Eduard Shalsi

Olta Xhaçka

Koordinatorët e PS-së në rrethe

Saimir Tahiri – Tiranë

Damian Gjiknuri – Vlorë

Niko Peleshi – Korçë

Ditmir Bushati – Shkodër

Blendi Klosi – Berat

Lindita Nikolla – Lezhë

Mimi Kodheli – Elbasan

Bledi Çuçi – Gjirokastër

Ilir Beqja – Kukës/Dibër

Vangjush Dako- Durrës

/Shekulli/