Pas diskutimeve të shumta dhe kundërshtimeve në lidhje me taksën 10 euro vajtje/ardhje të vendosur në Rrugën e Kombit, ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës Damian Gjiknuri i ka kthyer përgjigje akuzave e kritikave të opozitës për këtë taksë.

Gjiknuri u shpreh nga foltorja e Kuvendit se aplikimi i tarifës për këtë rrugë është diskutuar që në kohën e qeverisjes së demokratëve. Ndërsa sa i përket diskutimit për tarifën 5 Euro, ministri i Infrastrukturës theksoi se nëse do të vendosej një kuotë më e vogël, nuk do të mbulonte investimet e bëra për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit.

“Sipas kontratës, koncesionari do të investojë 262 milionë Euro gjatë jetës së kontratës. Vetëm 4 vitet e para do të investohen 45 milionë Dollarë. Pse del kaq kjo tarifë? Sepse aq është dhe trafiku. Ajo rrugë nuk ta kthen investimin, kjo dihet. U bë si rrugë patriotike. Dakord! Ama përdoruesit e asaj rruge duhet të paguajnë për ta mirëmbajtur. Nuk ka formë tjetër për të mirëmbajtur rrugët. Kjo është forma e vetme për ta pasur atë aset”, tha ministri.

Gjiknuri shtoi gjithashtu se po diskutohet edhe një skemë, që brenda 6 muajve të aplikohet abone me tarifë më të ulët për drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë shpesh në Rrugën e Kombit.