Shoqata “Gruaja e kohës dhe ekonomia” ka vlerësuar sot në një aktivitet të mbajtur 10 gratë më të suksesshme përgjatë një viti në Durrës.
Për 22 vite me rradhë janë evidentuar femrat më të suksesshme në profesionin që ato ushtrojnë dhe që kanë kontribuuar për të rritur e fuqizuar rolin e grave si forcë potenciale në shoqërinë tonë.
Kryetarja e shoqatës, Myzejen Konduri, u shpreh gjatë fjalës së saj se në këto 22 vite shoqata është përpjekur për të realizuar misionin e saj “së bashku drejt zhvillimit”.
"E rëndësishme është se në këtë rrugëtim punuam së bashku me koncepte bashkëkohore për të qenë pranë problemeve të fokusuara për zgjidhje si dhe për të sensibilizuar për vështirësitë që hasin në bizneset e fushat ku kontribuojnë gratë, ndonëse ndonjëherë edhe s’ia dolëm. Arsyet herë ishin tonat, herë indiferenca, herë zvarritja burokratike e herë mos vlerësimi. Por ne e dimë se mbetet ende për t’u bërë më shumë",– tha Konduri.
Duke u ndalur te përzgjedhja e sivjetshme, Konduri nënvizoi se gratë më të suksesshme në profesionin e tyre janë të fushave të ndryshme; nga mësimdhënia te mjekësia, nga aktrimi te ekonomia, nga postet drejtuese të administratës shtetërore te sipërmarrjet private.
"Kjo larmi fushash në të cilat gratë japin kontributin e tyre në shoqëri flet qartë për potencialin e madh që femrat ruajnë në vetvete dhe e shpalosin çdo ditë në punën e tyre",- vijoi më tej Konduri.
10 grate më të suksesshme në profesione të ndryshme që u vlerësuan me cetrifikata janë:
- Shpresa Prodani, simbol i gruas biznesmene
- Vjollca Muca, Dr e Shkencave Ekonomike
- Silvana Tonuzi Kavaja, mjeke
- Aida Deda, menaxhere biznesi
- Esmeralda Xherai, pedagoge
- Flutura Domi, eksperte kontabël
- Denada Baci nga Dhoma e Avokatisë
- Ilirjana Kupe, administratore
- Albana Dizdari, Drejtore e Funksioneve Mbështetëse
- Asel Esteri, piktore
E pyetur se kush është zonja Shpresa si grua, nënë dhe biznesmene, znj.Prodani u shpreh: "Unë jam thjeshtë një grua e zakonshme, si të gjitha gratë e tjera që janë prezente këtu. Jam përpjekur që në jetën time, duke filluar që në nga bankat e shkollës të dashuroj shkollën, profesionin që kam bërë. Të luftoj në momentin që jam bërë nënë, të menaxhoj çdo ditë të jetës time."
Këto zonja me kontributin e tyre kanë ndihmuar 30 fëmijë të shkollës së ish-Kënetës. Aktiviteti, që këtë vit përkonte me 22 vjetorin e shoqatës “Gruaja e kohës dhe ekonomia” vijoi më pas me numra të ndryshëm artistikë.
Në këtë aktivitet morën pjesë këngëtarë dhe artistë të njohur, të cilët kanë krijuar atmosferë të mrekullueshme. Të ftuar ishin Olta Boka, Erik Lloshi, Kejsi Tila, grupi i valleve etj.
K.H.