Keni puçrra? Ja 10 kura natyrale për t’i evituar ato në mënyrë të thjeshtë, por mbi të gjitha pa efekte anësore. Në treg ekzistojnë një numër produktesh për këtë problem të pakëndshëm, por që shpesh në vend që ta përmirësojnë e përkeqësojnë situatën duke favorizuar infeksionet. Gjithsesi ekziston një gamë e gjerë produktesh natyrale që mund t’i përgatisni në shtëpi për të evituar puçrrat. Ja kush janë 10 prej tyre:
1. Argjila jeshile
Argjila jeshile është një produkt bukurie i këshilluar shpesh për të trajtuar problemet e lëkurës së yndyrshme si puçrrat, aknet dhe pikat e zeza. Njihet për vetitë e saj antiinfiamatore, thithëse, antiseptike dhe si heqëse të shenjave në lëkurë. Mund të përdoret si maskë fytyre një herë në javë, duke evituar buzët dhe sytë.
Për ta përgatitur mjafton t’i shtoni pluhurit të argjilës ujë, për të formuar një masë kremoze.
2. Aloe Vera
Aknet favorizohen nga një prodhim i tepërt i sebumit, që provokon shfaqjen e tyre, pikave të zeza dhe gjithë problemet e tjera në fytyrë. Falë elementëve aktivë si aloina, acidi cinamik dhe barbaloina, Aloe Vera ushtron një funksion të dyfishtë: antiinfiamator dhe antibakterial. Kështu kjo bimë eviton enjtjen dhe skuqjen e puçrrave, si dhe stimulon gjithashtu mbrojtjen imunitare të organizmit, duke përshpejtuar procesin e shërimit. Aloe Vera nuk ka efekte anësore, kështu që mund ta aplikoni direkt në lëkurë bimën (çajeni gjethen që t’i dalë lëngu dhe lyeni fytyrën) dhe ta mbani për 15 minuta.
3. Vaj nga pema e çajit
Edhe i njohuri si vaji i Malaleukës, lufton grumbullimin e baktereve dhe kështu parandalon edhe formimin e puçrrave. I pasur me cineol dhe terpinen, ky vaj esencial mund të përdoret direkt në lëkurë dhe ta lini të veprojë për rreth një orë. Përsëriteni një herë në javë.
4. Limoni
Mes shumë përdorimesh të limonit, zbulojmë edhe vetitë kozmetike të tij, falë efekteve tonifikuese, riekuilibruese të pehashit dhe pastuese. Aplikoni disa pika limoni direkt tek puçrrat, ose për të krijuar një përbërje më të trashë shtoni edhe pak sheqer. Për shkak të aciditetit të lartë që ka, është e këshillueshme që limonin ta lini të veprojë vetëm pak minuta dhe pastaj ta lani fytyën me ujë të vakët.
5. Hudhra
Falë efekteve të saj antiseptike dhe pastruese, hudhra është një antibiotik natyral si për organizmin e brendshëm, ashtu edhe për atë të jashtëm. Për të evituar formimin e puçrrës merrni një thelpi hudhër, copëtojeni dhe vendoseni direkt mbi lëkurë. Mund ta përsërisni këtë trajtim disa herë në ditë për puçrrat që dalin nën lëkurë.
6. Soda e bukës
Soda e bukës shërben për ta tharë lëkurën, duke larguar nga ajo sasinë e tepërt të sebumit, që qëndron në bazë të pikave të zeza. Ajo ka ndër të tjera, edhe pse në sasi shumë të pakta veti antiinfiamatore dhe antiseptike. Përziejeni sodën e bukës me pak ujë dhe përdoreni si eksofilues për fytyrën kundër sebumit dhe papastërtive. Mund t’i shtoni edhe ndonjë pikë limon.
7. Kanella
Duke stimuluar qarkullimin e gjakut, falë vetive antiifiamatore dhe antibakteriale, kanella pengon formimin e baktereve patogjene përgjegjëse për bllokimin e poreve të lëkurës. Shtoni një lugë kanellë në tre lugë të vogla mjaltë dhe këtë përzierje përhapeni në fytyrë. Kjo maskë nuk rekomandohet për ata që vuajnë nga diabeti ose që kanë probleme me koagulimin e gjakut.
8. Kos dhe shafran
Në vendet aziatike maska me kos dhe shafran është një ilaç natyral kundër çdo lloj problem me lëkurën. Shafrani ka veti antibakteriale dhe antiinfiamatore.
Kosi nga ana tjetër falë baktere të mira që ka në përbërje, na ndihmon të luftojmë infeskionet e lëkurës. Për të përgatitur këtë maskë nevojiten dy lugë kos dhe një lugë shafran. Përhapeni në fytyrë, mbajeni për 10 minuta dhe lajeni me ujë të vakët.
9. Maja birre
Është konsideruar gjithmonë si element pozitiv në luftën kundër akneve, falë efekteve antibakteriale dhe pastruese, por sidomos sepse redukton prodhimin e tepërt të sebumit. Gjithsesi para se të përdorni majanë e birrës në çfarëdolloj forme, sigurohuni që nuk jeni intolerantë.
10. Pasta e dhëmbëve
Pasta e dhëmbëve vepron tek puçrrat duke dehidratur poret dhe duke tharë sebumin e tepërt. Por para se ta përdoni këtë mënyrë, duhet të pastroni mirë fytyrën dhe të zgjidhni një pastë dhëmbësh të përshtatshme. Kolinozi tenton ta thajë lëkurën, prandaj është e këshillueshme që ta përdorni vetëm një herë në ditë dhe ta lini të veprojë vetëm për 15 minuta, pastaj të lani fytyrën.
Burimi: Pour Femme
Përshtati: R.O.