14 nëntor 2015 – Shoqata për parandalimin e diabetit ka nisur një fushatë sensibilizuese për diagnostikimin e kësaj sëmundjeje, që regjistron rreth 10 mijë pacientë në qytetin e Durrësit. Mjekë të spitalit të Durrësit dhe autoritet lokale kanë marrë pjesë në fushatë, duke dhënë mesazhin e këtij viti: “Ushqehuni shëndetshëm”.
Në Ditën Botërore të Diabetit, në tendat e vendosura para pallatit të kulturës, qytetarë të shumtë kanë bërë falas testin e diabetit, duke marrë po kështu edhe konsulta nga mjekët përkatës për trajtimin e sëmundjes. Fushatës sensibilizuese iu bashkua dhe kreu i bashkisë Vangjush Dako, me ministrin e Punëve Sociale, Blendi Klosi.
Mjekët e drejtuesit i bënë thirrje popullatës që të diagnostikohet, sepse diabeti i ndarë në dy tipa, është i fshehur dhe i padiagnostikuar. Për mjekët, diabeti është konsideruar si pandemi, që po shënon rritje të konsiderueshme, dhe problematike është situata kryesisht te fëmijët dhe të rinjtë nën moshën 40 vjeç.
Sipas mjekëve, diabeti ndahet në tipin 1 dhe në tipin 2. Në tipin 1 bëjnë pjesë 30% e pacientëve që janë kryesisht fëmijët që po rriten të kequshqyer dhe obezë. Diabeti është shkaktuar kryesisht prej obezitetit, dhe kjo për mjekët është e pandalueshme. Në tipin 2 bëjnë pjesë mosha mbi 40 vjeç.
/K.H. portali DurresLajm/