Apple, një nga kompanitë më të mëdha të teknologjisë në botë, ka vendosur t’i japë fund projektit të saj ambicioz për ndërtimin e një makine elektrike.
Ky projekt, i njohur si “Titan”, ishte një përpjekje e gjatë dhe e kushtueshme që përfshinte më shumë se një dekadë punë dhe 10 miliardë dollarë investime.
Projekti “Titan” filloi me qëllimin për të konkurruar me Teslën, kompaninë e Elon Musk, por rrugës ndryshoi disa herë drejtim. Fillimisht, ideja ishte krijimi i një makine elektrike të zakonshme, më pas fokusi kaloi tek ndërtimi i një automjeti plotësisht autonom. Në fund, u rikthyen te makina elektrike, por as kjo qasje nuk arriti të japë rezultatet e dëshiruara.
Në fillim të vitit 2024, Apple njoftoi zyrtarisht se projekti do të ndalohej. Lajmi u komunikua brenda kompanisë përmes një njoftimi që përfshinte rreth 2,000 punonjës të përfshirë. Nga këta, 600 punonjës humbën vendet e tyre të punës, ndërsa burimet e tjera u ridrejtuan drejt zhvillimit të inteligjencës artificiale gjenerative, një fushë që Apple po e sheh si prioritet të ardhshëm.
Ndërkohë që Apple mund të përballojë financiarisht një dështim të tillë, kjo ka ngjallur humor dhe skepticizëm në rrjetet sociale. Një përdorues komenton me shaka se kjo është “arsyeja pse nuk ka më karikues në kutitë e iPhone-ve”. Të tjerë sugjerojnë se çmimet e iPhone-ve mund të rriten për të kompensuar humbjet nga ky projekt.