Prokuroria ndërton skenën e aksidentit të ndodhur në 14 korrik të këtij viti, ku humbi jetën biznesmeni nga Vlora, Bukurosh Malaj.
Në lidhje me këtë aksident, Prokuroria dha masën arrest me burg për 21 vjeçaren, Adela Sinanaj e cila drejtonte automjetin në momentin e aksidentit të biznesmenit.
Bie pista e vrasjes, ngjarja aksidentale
Bazuar në skenën e ndërtuar nga Prokuroria në bazë të dëshmisë së vajzës rezulton se kemi të bëjmë me një aksident tragjik, dhe jo vrasje siç pretendojnë familjarët.
Policia bën të ditur se është njoftuar rreth orës 10:30 minuta të paradites së 14 korrikut për aksident e rëndë. Sipas skenës së ndërtuar nga Prokuroria, biznesmeni ka qenë i shoqëruar nga një vajzë e cila i jepte makinës në momentin e aksidentit.
Biznesmeni pësoi plagë të rënda në kokë
Gjithçka ka ndodhur kur Bukurosh Malaj si pasagjer, ka nxjerrë kokën nga dritarja për të parë gomën e makinës dhe në atë moment është prekur nga karroceria e një kamionçine. Plagët e rënda në kokë i kanë shkaktuar vdekjen biznesmenit vlonjat.
Raporti i Prokurorisë:
“Bukurosh Malaj ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij mercedez benz me targa AA 184 CE nga Vlora për në një pikë ku shiteshin pajisje të përdorura elektroshtëpiake pasi do të blinin disa gjëra për dyqanin e tij Fast Food.
Së bashku me të në makinë ka qenë dhe e njohura e tij Adela Sinanaj. Kur kanë arritur afër një karburanti sa kalon fshatin Panaja, Bukuroshin e kanë marrë në telefon dhe ai ka kthyer makinën për tu kthyer në Vlorë.
Në këtë kohë i ka thënë Adelës që nëse kishte dëshirë mund ti jepte makinës. Adela ka hipur në sediljen e shoferit ndërsa Bukuroshi në sediljen e parë të makinës. Pasi kanë ecur 5-10 minuta Bukuroshi ka nxjerrë kokën jashtë xhamit për të parë gomën prapa të makinës pasi makina jepte një zhurmë.
Në këtë kohë koka i është përplasur me karrocerinë e një kamioncine të parkuar anës rrugës dhe ai ka rënë brenda në makinë, pa ndjenja dhe i gjakosur. Adela ka frenuar menjëherë dhe ka kërkuar ndihmë.
Djali i familjes që banonte pranë vendit ku ndodhi aksidenti i ka ardhur në ndihmë duke drejtuar makinën për ta çuar Bukurosh Malaj drejt spitalit,” thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Sipas prokurorisë Adela Sinanaj nuk ishte pajisur me leje për drejtimin e automjetit dhe mbi të rëndon akuza për “Shkelje të rregullave të qarkullimit dhe drejtim i automjeteve në mënyrë të paregullt”.





