DURRËS, 22 nëntor 2013 – 10-mujori i vitit 2013 është më “i zi” për tregun e udhëtarëve me tragete midis Shqipërisë dhe Italisë, ndonëse ngushëllohet me faktin se ka një rritje të vogël të qarkullimit të mallrave.
Më pak njerëz dhe në qershorin “elektoral”
Sipas disa të dhënave që ka siguruar “Dyrrah”-u nëpërmjet agjencive detare, në portin e Durrësit, gjatë periudhës janar-tetor 2013, kanë qarkulluar gjithsej 624 014 udhëtarë ose 79 824 më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Madje, edhe në muajin e zgjedhjeve të përgjithshme, që normalisht pritej një fluks emigrantësh për të votuar, del së në qershorin “elektoral” kanë qarkulluar gjithsej 2 442 udhëtarë më pak se muaji i gjashtë i vitit të kaluar. Por nuk ka mjaftuar as ky fakt, pasi korriku, pragu i pushimeve të gushtit, ka rezultuar me një rekord të të gjithë muajve me 21 647 udhëtarë më pak se korriku 2012. “Dishezë” në tregun e udhëtarëve kanë pësuar edhe gushti me minus 16 949, shtatori me minus 16 746 udhëtarë etj. Arsyet mund të kenë qenë të ndryshme: kriza ekonomike në të dy vendet, që i kanë detyruar emigrantët që të mos lëvizin nga “Çizmja”, konkurrenca e avionëve, kushtet në tragete, çmimet e pafavorshme etj.
Mallrat
Por nga ana tjetër, linjat detare janë “kompensuar” disi me automjetet që kanë transportuar si 10-mujor 588 487 tonë mallra import-eksporti, ose plus 8 810 se janar-tetori 2012. Muajt më të “bardhë” janë korriku me 4 023 tonë më tepër, tetori, maji, shtatori. Ndërkaq janë ruajtur pothuajse të njëjtat raporte në import-eksport për të dy vitet: 59 me 41 për qind.
Transparenca
Megjithatë, nuk mund të bëhet një analizë më e plotë e rezultateve dhe perfomancës së kompanisë shtetërore Autoriteti Portual Durrës sha, sa kohë që drejtoria ekzekutive nuk boton në faqen e tij në internet statistikat në kohë reale, për më tepër që nuk zbatohet as legjislacioni përkatës për informimin publik (statistikat më të “përditësuara” i takojnë vitit 2011). Nuk ka pse gazetarët ta kapin veshin e djathtë me dorën e majtë prapa kokës, duke u sorollatur nëpër agjencitë detare për të bërë përpunimin e të dhënave.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





