10 vendbazime mjetesh lundruese do të funksionojnë përgjatë sezonit veror në vijën bregdetare të bashkisë Durrës.
Ditë më parë, Këshilli Bashkiak miratoi një vendbazim të ri, në një hapësirë që deri më tani nuk ka qenë funksionale për mjetet lundruese.
Vendbazimi i ri do të jetë pranë Agipit, ndërkohë një tjetër vendbazimi ju ndryshua vendndodhja, me qëllim respektimin e distancave mes tyre.
“U pa e arsyeshme që më mirë të bëhet një spostim sesa të krijohet një vendbazim në një hapësirë më të madhe. Përsa i përket vendbazimit tjetër që është në zonën e Agipit, e gjithë zona nuk ka asnjë të tillë për mjetet lundruese prandaj duke parë hartën që ne miratuam në nëntor 2022 u pa e arsyeshme vendosja e një vendbazimi për shkak të kërkesave që ka pasur dhe duke parë kriteret subjektet mund të marrin lejet përkatëse”,– deklaroi në mbledhje nënkryetari i bashkisë, Renis Mullaj.

Verën e kaluar, pas ngjarjes tragjike të Potamit, të gjitha vendbazimet e licensuara në Durrës kaluan në sitën e Task Force dhe vetëm 5 prej tyre plotësuan të gjitha kriteret ligjore për ushtrimin e aktivitetit.
Ndërkohë këtë verë numri i tyre do të jetë dyfish më i lartë. Mjetet lundruese si skafe apo motora uji shpeshherë janë kthyer në shqetësim për plazhistët, pasi qarkullojnë shumë afër pushuesve duke vënë në rrezik jetët e tyre.
“DurrësLajm” ka siguruar shifrat nga institucioni i qeverisjes vendore edhe përsa i përket raportit mes plazheve publike e private.
Qyteti bregdetar ka një vijë bregdetare me gjatësi 61 km, ndërkohë që sipërfaqja totale e rërës është rreth 1.2 milionë metra katrorë, nga e cila 58.4% (690281 m2) do i takojë këtë verë subjekteve private që i marrin nën administrim, ndërsa 41.6% (493234 m2) plazheve publike.
Në nëntor të vitit të kaluar, Këshilli Bashkiak Durrës miratoi me vendimin nr.142 hartën e përgjithshme të plazheve të lejuara, ku do të ushtrohet veprimtaria si stacion plazhi, si dhe plazhet publike për verën e këtij viti.
M.B.





