Itali, 15 qershor 2014 – Viktor Hygoi, në kryeveprën e tij “Të mjerët”, përshkruan edhe fatin e Zhan Valzhanit, që bëri shumë vite burg, sepse kishte vjedhur në dyqan një bukë për të ushqyer fëmijët e uritur të së motrës. Në Bergamo të Italisë kemi një rast identik me Zhan Valzhanin, tashmë në shekullin e XXI-të.

Në 14 qershor 2014, vëllezërit shqiptarë N.B. dhe A.B. përkatësisht 25 dhe 32 vjeç si edhe kushëriri i tyre G.G., 33 vjeç, të papunë dhe pa adresë fikse në Itali vjedhin me thyerje 700 gramë mish në hotelin “Pineta di Castione” afër Bergamos. Jepet alarmi dhe karabinierët i arrestojnë tre hajdutët shqiptarë. Policia u sekuestron shqiptarëve 1,8 kg mish të vjedhur si edhe pajisjet e “zanatit” si leva, kaçavida, thika etj., që u shërbenin për vjedhje me thyerje.

Gjykata e Breshias i dënoi tre shqiptarët për vjedhje me thyerje dhe mbajtje pajisjesh për të kryer vjedhje me nga 3 vjet dhe 4 muaj burg secilin. Njëlloj si Zhan Valzhani i Viktor Hygoit, tre shqiptarët u dënuan me 10 vite burg për 1.800 gramë mish të vjedhur. Nëse pjesëtojmë vitet e burgut me gramët e mishit të vjedhur, tre shqiptarëve u duhet të kryejnë një vit burg për çdo 180 gramë mish të vjedhur.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/