Një surprizë e hidhur në përvjetorin e 10-të të martesës. Ndërsa Liza i ka përgatitur bashkëshortit Aleks një surprizë të bukur, ky i fundit e trondit duke i kërkuar divorcin.

Kështu nis komedia “10 vite martesë” e autorit belg Alil Vardar, e cila pati premierën e saj mbrëmjen e së premtes në teatrin “Aleksandër Moisiu”.

Përmes situatave plot humor e batutave hidh e prit Andia Xhunga e Gentian Zenelaj sollën për publikun durrsak të qeshura pa fund.

E përshtatur për publikun shqiptar, komedia e regjisores Andia Xhunga, e cila vjen edhe në rolin e protagonistes, fton edhe për disa momente reflektimi.

Veprën e kem përshtatur, prandaj do të jetë 100% humor shqiptar dhe publiku do ta gjejë 100% veten nga skena e parë deri tek skena e fundit”, thotë ndër të tjera ajo për “DurrësLajm”, teksa bëhet gati, ndërsa partneri i saj në skenë, Zenelaj shton se “do të jetë një vetëshërim, një vetëpastrim, një vetëfalje, një vetërregullim i një marrëdhënie nëse e kanë problematike. Uroj që kjo shfaqje t’u shërbejë jo vetëm për të qeshur, por edhe për të parë që ata s’janë të vetmit, çiftet përgjithësisht kanë probleme.

Pas shumë skenave në retrospektivë, ku para publikut kalojnë disa nga momentet më të veçanta të jetës së çiftit Aleks dhe Liza, fundi i pjesës teatrale është qershia mbi tortë. Artdashësit që kishin mbushur plot sallën, nuk kishin si të mos duartrokisnin gjatë lojën e bukur aktoriale të çiftit Xhunga – Zenelaj.

M.B.