Mjekët në spitalin Guangji, në Hezhou të Kinës, mbetën të habitur nga rasti i një pacientes së tyre, që kishte më shumë se 200 gurë tëmthi në trup.

45-vjeçarja e identifikuar vetëm me emrin Chan, pas më shumë se 10 vitesh dhimbjeje stomaku, vendosi të shkonte të vizitohej. Testimet treguan se ajo kishte një numër të madh gurësh në tëmth, që mjekët besonin se ishin grumbulluar me kalimin e viteve.

Sipas “The Sun”, kirurgët hoqën të paktën 200 të tillë nga fshikëza e tëmthit dhe kanalet biliare. Disa prej tyre kishin madhësinë e një veze.

Gruaja deklaroi se dhimbja nisi më shumë së 10 vite më parë, por frika nga operacioni bëri që të mos vizitohej.

Mjeku kirurg Quanwei Wei, tha se ky numër i madh gurësh mund të jetë krijuar për shkak se 45-vjeçarja nuk hante mëngjes. Ajo tha se prej 10 vitesh nuk e hante këtë vakt dhe ndonjëherë ishte tepër e lodhur për të gatuar në darkë, pasi kthehej nga puna. 

Gurët në tëmth janë të vegjël dhe në pjesën më të madhe të rasteve nuk shfaqin asnjë lloj simptome dhe nuk kanë nevojë për trajtim.