Sot bëhen 10 vjet nga tragjedia e Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën, pas shpërthimit në një depo të demontimit të municioneve.
Mes viktimave kishte fëmijë të mitur, gra, të moshuar, shumë prej të cilëve punonin në kushte që nuk plotësonin asnjë standard në një ambient të hapur në fshatin Gërdec pranë Vorës. Ngjarja e rëndë shokoi mbarë opinionin publik shqiptar, ndërsa lajmi u përhap në të gjitha mediat e rëndësishme ndërkombëtare.
Ministri i Mbrojtjes i asaj kohe Fatmir Mediu dha dorëheqjen, ndërsa u shpreh se nuk kishte lidhje me këtë biznes. Kur kanë kaluar 10 vite nga ngjarja e rëndë, familjarët e viktimave vazhdojnë të kërkojnë ende drejtësi, pasi ende asnjë fajtor nuk qëndron pas hekurave.
Nëse nuk do të kishte ndodhur shpërthimi i municioneve, ky biznes i rrezikshëm do të vazhdonte ashtu siç kishte vazhduar që prej vitit 2005 e deri paraditen e 15 marsit 2008, kur tragjedia e paralajmëruar ndodhi.
Pas shumë seancash gjyqësore, Gjykata e Shkallës së Parë më 12 mars të vitit 2012, 3 ditë para përvjetorit të tragjedisë dha vendimin për 29 të pandehurit e dosjes "Gërdeci", dënime të cilat ishin disa herë më të ulëta se ato që kishte kërkuar prokurori, mes të cilave edhe tre burgime për jetë. Asnjë nga 29 të akuzuarit nuk u dënua për akuzën e vrasjes, pasi ngjarja u konsiderua si gabim njerëzor.





