Në foto: Emigrantët “jetojnë” nën një mbikalim, që nuk është pastruar asnjëherë dhe me rreziqe për shëndetin, sidomos të fëmijëve dhe foshnjave (Foto: PAB/metronews)

LION, 4 korrik 2013 – Nën mbikalimin në afërsi të stacionit Perrache në Lion u ngrit një kamp i improvizuar, njofton e përditshmja franceze Metronews, së cilës i referohen mediet franceze.

Skena është mjaft halucinante, shkruan Metronews-i.

Që të hënën, nën mbikalimin, jo shumë larg nga stacioni Perrache Lyon (II) dhe autostradat A6 dhe A7, janë instaluar dyzet tenda.

Njëqind azilkërkues me origjinë nga Shqipëria apo Kosova ngritën një kamp të improvizuar.

“Është skandaloze, shpërthen Michel Jouarre, zëvendëskryetar i këshillit të kuartallit, që ka ndjekur situatën për disa kohë. – Ky është një vend që nuk është pastruar asnjëherë, i cili dëmton së tepërmi shëndetin. Duhet të gjejmë zgjidhje më të afatgjatë, duke krijuar për shembull një qendër banimi të veçantë fillimisht për emigrantët”.

Familjet me fëmijë dhe madje edhe foshnja, thonë se ata vuajnë nga problemet e shëndetit dhe pranojnë vizita të rregullta të policisë.

Organizata fetare bamirëse “Ushtria e Shpëtimit” e distriktit të Vijurban-it (Villeurbanne) u jep të hanë.

Denis Broliquier, kryetari i bashkisë së qarkut II të Lionit, thotë: “Ky është kryesisht azil ekonomik i maskuar si ​​azil politik. Për sa u përket shqiptarëve nuk kanë arsye politike që të jenë këtu. Po shoh gjendjen e këtyre njerëzve, por ne nuk kemi mjete për t’i mbajtur këtu”.

Pra, situata duket në një rrugë pa krye.

Gazeta ka kërkuar të kontaktojë prefekturën, por ajo tha që nuk dëshiron të komunikojë, duke marrë parasysh temën “shumë të ndjeshme”.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/