Duka dhe Dukesha e Kembrixhit do të dëmshpërblehen me 100 000 euro pasi një revistë franceze publikoi fotot topless të Dukeshës Kate Middleton.

Sipas “BBC”, një gjykatë franceze ka vendosur se imazhet e përdorura nga “Closer” – të shkrepura gjatë kohës që çifti ishte me pushime në Provence 5 vite më parë – përbënin cenim të privatësisë së tyre.

Pallati “Kensington” tha se familja mbretërore e Britanisë ishte e kënaqur me vendimin e gjykatës franceze.

Gjykata po ashtu gjobiti editorin dhe pronarin e revistës “Closer “ me 45 mijë euro, maksimumi i shumës së lejuar.

Sipas medias britanike, dëmshpërblimi me nga 50 mijë euro për Dukën dhe Dukeshën përbëjnë një shumë të vogël në krahasim me 1.6 milionë eurot që kanë kërkuar avokatët e tyre.

Ky vendim i gjykatës vjen pas gjyqeve kundër 6 personave, përfshirë fotografët dhe ish-editorët e “Closer”, të cilat nisën në muajin Maj.