Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me lajmin se qeveria ka akorduar mbi 100 milionë lekë për riciklimin e mbetjeve të Fierit dhe Elbasanit në Dokumentin e Politikave Prioritare.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama thotë se shumat në këtë dokument nuk lidhen vetëm me buxhetin.
Reagimi i plotë:
Asaj shprehjes popullore, “hedh një budalla një gur në lumë dhe 100 të mençur s’e nxjerrin dot”, po i bashkangjis si adresë Fletoren Zyrtare, ku çdo shejtanbudalla nga ata që e kanë nxjerrë nga nuk e di ku, se qeveria paskej vendosur 100 e kusur milionë për të ricikluar mbetjet e Fierit dhe Elbasanit në Dokumentin e Politikave Prioritare, mund të gjejnë se çfarë ka vendosur në fakt në atë dokument qeveria në mbledhjen e miratimit të tij, e pastaj mund t’ia tregojnë publikut, ndërkohë që për sa na takon nuk kemi vendosur asgjë të tillë!
Me këtë rast sqaroj se shumat e përcaktuara në këtë lloj dokumenti orientues janë shuma që nuk lidhen vetëm me buxhetin, po edhe me financime të mundshme alternative, ndërkohë që guri 100 e kusur milionësh s’ka asnjë lidhje as me këtë dokument, as me ndonjë vendim tjetër tonin!
Në mbyllje, mediave “investigative” që marrin pjesë në hedhje gurësh në mexhelis, u lutem të mos harrojnë t’u drejtohen edhe burimeve zyrtare, qoftë edhe për të larë gojën, sepse mund t’i kursejnë vetes figurën e keqe të të keqinformuarit që keqinformon, ndërkohë që misioni i tyre është ta informojnë publikun duke e mbrojtur nga keqinformimi