Një 100 vjetor pa shpenzime, pa dekor dhe pa atmosferë festive. Kështu planifikohet të pritet në Durrës 100 vjetori i shpalljes së pavarësisë. Ekspozita, koncerte frymore, një film dokumentar me foto të arkivit francez dhe mbrëmje letraro-artistike (asnjë prej këtyre aktiviteteve nuk ka kosto financiare për bashkinë) janë pak a shumë ato që do të shijojnë qytetarët durrsakë në javën që i paraprin 100 vjetorit të ngritjes së flamurit në Durrës.

Pak, për të mos thënë shumë pak, për këtë ngjarje që do mund të përsëritet vetëm pas një shekulli. Arka e boshatisur e bashkisë dhe pamundësia për të siguruar pagat e tyre i shtyu krerët e pushtetit vendor të ndërmerrnin vendimin për të shkurtuar çdo lloj shpenzimi, edhe pse ky do të shërbente për t’i dhënë një pamje tjetër qytetit me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë.

“Dëshira dhe vullneti është ta festojmë 100 vjetorin, të mos e lëmë qytetin pa festë, sepse Durrësi më 26 nëntor ka pritur Ismail Qemalin dhe flamuri është ngritur për herë të parë në Durrës, kështu që jemi të detyruar më shumë se çdo qytet tjetër ta festojmë këtë festë dhe do të përpiqemi ta festojmë sa më denjësisht, pavarësisht pengesave të shkaktuara nga qeverisja qendrore”,- u shpreh dy javë më parë për “Dyrrah” kreu i bashkisë Vangjush Dako.

Por tashmë kur kalendari i veprimtarive të javës kulturore në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë është mbyllur ajo që do mund të shijojnë qytetarët durrsakë më 26 nëntor është ceremonia e ngritjes së flamurit, një koncert jubilar në teatrin “Aleksandër Moisiu” dhe një mbrëmje letraro artistike. Asnjë veprimtari në ambient të hapur, asnjë dekor i veçantë për këtë festë, asgjë që mund të revokojë sadopak krenarinë e gjithkujt nga ne për këtë arritje të rëndësishme të patriotëve durrsakë.

Gjithçka mbyllet në suazën e disa aktiviteteve të zakonshme, brenda një salle teatri, të mbushur me të ftuarit e zakonshëm. I kontaktuar nga “Dyrrah” drejtori i Kulturës në bashki, Adrian Gurra, u shpreh se kjo ishte më e mira e mundshme që mund të sigurohej përsa kohë mungojnë fondet. E ndërsa mungesa e fondeve artikulohet shumë herë nga pushtetarët vendorë për të justifikuar mungesën e veprimtarive më vjen ndërmend data 11 gusht, “Dita e Durrsakëve”.

Atë ditë, një grup durrsakësh, anëtarë të shoqatës “Forumi i Durrsakëve”, organizuan një ekspozitë në galerinë e qytetit dhe një koncert në sheshin Liria. Megjithëse u mungonin fondet, eksperienca për organizimin e aktiviteteve të tilla dhe indiferenca e pushtetarëve vendorë për nismën e tyre e vunë në jetë projektin. Vërtet u realizua një koncert modest, por të paktën ata e realizuan qëllimin dhe e kthyen idenë e tyre në një festë masive.

Asnjë veprimtari në ambient të hapur, asnjë dekor i veçantë për këtë festë, asgjë që mund të revokojë sadopak krenarinë e gjithkujt nga ne për këtë arritje të rëndësishme të patriotëve durrsakë. Gjithçka mbyllet në suazën e disa aktiviteteve të zakonshme, brenda një salle teatri të mbushur me të ftuarit e zakonshëm

Dhe të mendosh që një shoqatë e themeluar vetëm 2 muaj më parë arriti vetëm me dëshirë dhe vullnet të festonte për herë të parë Ditën e Durrsakëve të vjen keq kur shikon se 100 vjetori do festohet nga pushteti lokal në formën më të keqe të mundshme. Në ditën e ndërrimit të viteve qytetarët durrsakë u privuan nga koncerti i fundvitit, por privimi nga një koncert në shesh dhe atmosferë festive për 100 vjetorin e ngritjes së flamurit është e patolerueshme.

Është e vërtetë që bashkia ndodhet në vështirësi financiare për shkak të aktit normativ që kaloi grantin qeveritar për pagimin e borxhit të ndërmarrjes së Ujësjellësit, kundrejt CEZ, por programi i varfër kulturor për këtë 100 vjetor tregon edhe njëherë mungesën e vizionit të pushtetit lokal për t’i dhuruar qytetarëve të Durrësit një ditë për t’u mbajtur mend.

Ndërsa sponsorizohen tre “festa” të shoqatës “Durrësi”, që shpërndajnë tituj honorifik për biznesmenët e qytetit, sponsorizohen dy aktivitete kulturore ndërkombëtare si Festivali Ndërkombëtar i Filmit dhe Dance Meeting, që nuk justifikojnë aspak pompozitetin e tyre dhe nuk arrijnë të mbushin sallën e teatrit lihet “jetim” 100 vjetori i pavarësisë.

Nëse për mëse 2 vjet u mbajt peng Këshilli Kulturor dhe u insistua për ndryshimin e anëtarëve të tij, zëri i këtij Këshilli që duhej të miratonte projektet kulturore-artistike ka humbur që pas mbledhjes së tij të dytë. Asnjë prej anëtarëve të tij nuk ka ngritur zërin për këtë çorganizim të organizuar të pushtetit vendor për festimet e pavarësisë.

Në ballkonet e qytetarëve durrsakë dhe tek disa biznese kanë nisur të shpalosen flamujt kuq e zi, por duket se festimet spontane do zënë vendin e asaj që duhej të shndërrohej në një ditë feste kolektive.

 

Programi i ditëve kulturore “100 vjet Pavarësi”

14 nëntor

Ekspozitë e fotografisë artistike  “Durrësi ynë” nga Gëzim Domi, në galerinë “Nikolet Vasia” ora 18.00

15 nëntor

“Rrugëtimi i flamurit”- performancë artistike në itinerarin Bashki – Sheshi Taulantia, organizuar nga Klubi i Orkestrave Frymore, ora 17.00

20 nëntor

“Shqipëria në kohën e pavarësisë”  – film dokumentar me foto te arkivit francez nga Shqipëria dhe Durrësi i fillimit të shekullit XX, në sallën e teatrit” Aleksandër Moisiu”, ora 18.00

21 nëntor

Ekspozita “Mozaik Etnokulturor”, në galerinë “Nikolet Vasia, ora 18.00

22 nëntor

“Koncert festiv” me pjesëmarrjen  e nxënësve  të  shkollës së  muzikës “Jan Kukuzeli”, në sallën e teatrit ”Aleksandër Moisiu”, ora 18.00

23 nëntor

“Koncert me motive patriotike”  – Orkestra Frymore e Qytetit, në sheshin Liria, ora 17.00

26 nëntor

Ngritja e flamurit, sheshi para Bashkisë, ora 10.00

Koncert jubilar, në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” ora 11.00

Mbrëmje letraro-artistike “ 100 vjet Pavaresi”, organizuar nga Biblioteka Publike në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, në sallën  e teatrit “Aleksandër Moisiu”, ora 18.00