Një mijë ndeshje, gjashtë trofe dhe 25 vite në drejtimin e klubit durrsak si presidenti më i vjetër në futbollin shqiptar. Edmond Hasanbelliu ka shijuar të martën nga stadiumi i Kukësit kualifikimin e Teutës në gjysmëfinalen e Kupës.Nga viti 1999 dhe deri më tani janë 1 mijë ndeshje zyrtare që biznesmeni numëron në krye të klubit. Por si u bë Hasanbelliu president i “djemve të detit” dhe cili është trajneri, kapiteni dhe lojtari më i mirë që ai ka pasur në skuadër në këto dy dekada… 60-vjeçari tregon gjëra të pathëna më parë nga eksperienca te Teuta, që nga raporti me kolegët, te pengu më i madh që ka, incidentin që i ka ndodhur dhe deri me cilën skuadër është tifoz apo idhujt që ka në futboll që nga fëmijëria.

Zoti Hasanbelliu, së pari kush ju njoftoi se ndeshja ndaj Kukësit për Kupën e Shqipërisë do të ishte e 1000-ta për ju si president i Teutës?

Nuk e dija të them të drejtën që ishin kaq shumë ndeshje për aq sa kam unë në futboll, por i pari më ka njoftuar gazetari Ylli Aga, i cili kishte parë statistikat që nga viti 1999. Bashkë me gazetarin tjetër, Alban Xhihani, më bënë të ditur këtë fakt interesant. Unë llogaritë i kam bërë me vite, por u bënë vërtet shumë, 25 vite. Kur mora vesh që ishin 1000 ndeshje, prapë m’u dukën realisht shumë.

Ta nisim nga viti 1999, si u vendosët në drejtimin e klubit të Teutës?

Vitet e para i mbaj mend edhe më mirë se sot, sepse për mua janë më të bukurat. Ishte janar 1999 dhe kryetar bashkie në Durrës në atë kohë ka qenë Arqile Gorea, i cili insistoi shumë që unë të merrja klubin, pasi Teuta po kalonte një moment të vështirë. Isha në një moshë të re dhe pasioni për futbollin ka qenë shumë i madh. Gjithë qejf e pranova kërkesën e Arqilesë, por nëse do të bëhej fjalë për këtë periudhë, do të kisha bërë të kundërtën.

Thatë që e morët në një moment shumë të vështirë ekipin, çfarë kujtoni?

E kam marrë skuadrën kur ka qenë duke u luajtur faza e dytë e kampionatit dhe kishte vetëm 13 pikë, duke rrezikuar rënien nga kategoria. Teuta duhet të linte pas në atë sezon Laçin dhe Burrelin për të shpëtuar, por unë investova shumë dhe mora pa diskutim lojtarët më të mirë në Shqipëri. Më kujtohen emra si Afrim Tole, Gentian Stojku, Suad Lici etj. Nga zona e rënies ku e gjetëm ekipin, e mbyllëm kampionatin duke u kualifikuar në Europë. Pra, në sezonin e parë që isha president kemi marrë pjesë në Kupën Intertoto. Kemi luajtur me islandezët e Akranes mesa kujtoj…

Cili ishte trajneri i parë që bashkëpunuat tek Teuta dhe të veçantat e vitit të parë si president?

Trajner i parë ka qenë i ndjeri Enver Shehu, por qëndroi pak dhe më pas mora Bejkush Birçen, i cili ishte një figurë e madhe. Megjithatë, edhe me Bejkushin nuk bashkëpunuam më shumë se dy muaj. Më pas mora Hasan Likën, i cili qëndroi gjatë dhe pati sukses. Në vitin 2000 bëra një skuadër shumë të mirë dhe e humbëm titullin vetëm në ndeshjen e fundit. Nuk e harroj kurrë atë sezon, sepse ishim 7 pikë para në krye dhe na përmbysi Tirana, që drejtohej nga El Sajed. Në po të njëjtin vit fituam Kupën e Shqipërisë në finale ndaj Lushnjës. Më pas luajtëm në Kupën UEFA me Rapidin e Vjenës, që kishte një superskuadër, madje kishte edhe Saviçeviçin. Në Austri ka qenë më i miri në fushë Bledi Shkëmbi, që ishte 21 vjeç. Sigurisht që na mundën, por e kujtoj me nostalgji atë vit.

Në këto 25 vite në krye të klubit, cili është pengu juaj më i madh?

Pengu më i madh është në vitin 2013, kur luanim në Durrës me Kamzën. Nëse fitonim, dilnim kampionë, por e kishim mendjen te ndeshja Bylis-Skënderbeu. U dhamë edhe premio ballshiotëve për atë ndeshje që të ndalnin Korçën, ndërsa ne kujtuam se me Kamzën e kishim të fituar. Po ndodhi e kundërta, Bylisi e ndali Skënderbeun dhe ne nuk mundëm dot Kamzën. Më kujtohet që Hasan Lika dhe Sulejman Starova më kanë thanë tekstualisht: “E grimë ne Kamzën, vetëm të ndalet Skënderbeu”. Më ka mbetur peng ai vit, sepse e humbëm kot titullin.

Keni ndërruar 47 trajnerë në gjithë këto vite, por disa prej tyre i keni rikthyer. Cili është më i dashuri për ju?

Hasan Lika dhe Edi Martini. I pari na ka ikur në Amerikë dhe sa herë ekipi ishte në hall, e merrja gjithnjë. Më kujtohet që e kam kthyer shtatë herë Hasanin dhe në ato vite ka qenë më i miri për mua.

Çfarë ndryshon me Martinin që e keni kthyer disa herë. Besoni më tepër apo janë rezultatet ato që jua imponojnë?

Përveç se më pëlqen si trajner, rikthimin e shpeshtë të tij e tregojnë rezultatet. Kam marrë lloj-lloj trajnerësh, por ama më i suksesshmi rezultoi Martini. Me Edin jam më i qetë, sepse edhe tani e rregulloi ekipin.

Ka pasur ndonjë trajner që ju ka zhgënjyer shumë?

Më ka zhgënjyer një italian që e mora me shumë qejf. Më duket se ka qenë Çezare Bexhi, në mos gaboj.

Na tregoni pak kush ka qenë lojtari që edhe sot e kësaj dite e kujtoni me shumë nostalgji dhe është më i miri i epokës suaj?

Pa diskutim Daniel Xhafaj. Ka pasur ecuri fantastike me Teutën, duke e treguar veten si sulmues. Ishte djalë i mirë dhe luajti shumë i përkushtuar në Durrës. Edhe për Vedat Muriqin mund të flas me shumë nostalgji, por keqardhja ime është se u largua shumë shpejt. U bë futbollist i mirë te Teuta, por e shitëm shpejt. U ndikuam disi edhe nga kërkesa e vazhdueshme e familjarëve të tij. Për pak lekë e shitëm në Turqi…

Ka pasur ndonjë lojtar që e keni marrë me shumë insistim, por nuk ka dhënë aspak nga ato që keni pritur…

Janë të shumtë, sidomos me të huajt. I kam kujtimet e freskëta me lojtarët që afruam në vitin pasi dolëm kampionë. Zhgënjim total! Janë të shumtë gjithsesi…

Cili është kapiteni më i mirë i kohës suaj?

Kapiteni më i mirë për mua ka qenë Afrim Tole, për më tepër që kemi luajtur në ato vite ku futbolli ka qenë shumë i ashpër. Në rrethe kishte egërsi të madhe dhe ka qenë shumë sakrificë.

Çfarë raporti keni me kolegët presidentë klubesh, cilin mund të konsideroni si më të afërtin?

Kam shkuar mirë me të gjithë për hir të së vërtetës. I pari është i ndjeri Metush Seferi, i cili ka qenë një burrë shumë i mirë. Raporte të mira kam edhe me Refik Halilin e Tiranës, Gaz Demin e Partizanit dhe presidentin që ka qenë së fundmi te Luftëtari, Grigor Tavo.

Cili ka qenë momenti juaj më i vështirë si president në stadium?

Momentin më të vështirë si president e kujtoj nga një ndeshje në Pogradec në vitin 2011, që e përmbysëm nga 1-0 në 1-2, me një penallti në fund nga Tefik Osmani. Arbitër më duket se ka qenë Enea Jorgji. Pas ndeshjes ma kanë goditur makinën me gurë. Ka qenë një situatë shumë e tensionuar, pasi tifozët u mblodhën para tribunës dhe kërkuan të dhunonin lojtarët e Teutës. Unë shkova për të ndjekur situatën dhe papritur shikoj shumë sende të forta të hedhura që na rrezikuan. Çuditërisht na ndodhi në një qytet të qetë si Pogradeci…

Keni thënë ndonjëherë që “po iki, nuk vazhdohet më në këtë futboll”?

Po, po, shumë herë. Mbaj mend një ndeshje në Durrës me Lushnjën, ku barazuam dhe unë isha i bindur që dolëm nga kategoria. Ka qenë viti 2006, ku shpëtuam me “play out”, pasi Besa mundi Skënderbeun dhe ne më pas fituam me korçarët. Në atë vit mendova ta lija klubin…

Keni fituar një titull kampion, tri herë Kupën e Shqipërisë dhe dy herë Superkupën. A keni një ëndërr me Teutën?

Menduam se do të ndiqnim shembullin e Skënderbeut kur dolëm kampionë, duke marrë lojtarë më cilësorë, por aty rezultoi një zhgënjim i madh. Sigurisht që të jemi një herë në një fazë grupesh në Europë është një dëshirë që shpresoj ta realizojmë.

Kur ka qenë hera e fundit që keni vendosur veton për një lojtar dhe keni fituar bastin me trajnerin?

Në fillimet e mia kujtoj një ndeshje me Vllazninë në Durrës, ndërsa trajner kishim Edmond Zallën. Në atë kohë kisha parë një djalë të ri të talentuar, Orian Xhemalaj. I kam thënë Zallës që ta aktivizoj me patjetër në formacion, sepse ai donte ta linte në stol. Në atë ndeshje kemi fituar me Vllazninë 4-0 dhe Xhemalaj bëri dy gola dhe ishte protagonist edhe me dy asiste. Me trajnerët unë diskutoj normalisht për futbollistët, por në fund i respektoj zgjedhjet e tyre.

Ju keni filluar me futbollin më shpejt se presidenti aktual i FSHF-së, Armand Duka. Cili është raporti juaj me të dhe a ju ka ngacmuar për këtë pjesën e shumë viteve në drejtimin e një klubi?

Me Dukën i kam filluar vonë relatat. Për mua ka merita të veçanta, pasi kur e ka marrë FSHF-në ka qenë një gjendje shumë e keqe dhe tashmë niveli është rregulluar. Kur kam filluar te Teuta, në FSHF ka qenë president i ndjeri Miço Papadhopulli. Kanë qenë vite të errëta atëherë, ku federata kishte selinë mbrapa stadiumit “Qemal Stafa”. Kemi kaluar shumë vështirësi dhe të jem i sinqertë asnjëherë nuk e mendoja futbollin me aq probleme. Kudo ku luanim mbizotëronte dhuna, ndërsa problemet me arbitrat ishin të mëdha.

Kush mendoni se del kampion këtë sezon?

Më duket një kampionat disi rrumpallë, që si asnjëherë më parë nuk merret vesh se çfarë bëhet, të paktën në këto 25 vite sa unë kam. Fundi i tabelës është afër me pikë me ekipet që kërkojnë titullin!