Vijon mbjellja e 1000 rrapave përgjatë gjithë shëtitores “Taulantia” në Durrës.

Punonjësit e një kompanie private prej disa ditësh janë angazhuar në mbjelljen e pemëve dekorative në këtë hapësirë publike.

Mbjellja e këtyre pemëve pritet të shtojë edhe më shumë gjelbërimin në shëtitore.

Ndërkohë punonjësit e Ndërmarrjes së Gjelbërimit po merren me krasitjen dhe rregullimin e pemëve të tjera dekorative të mbjella një vit më parë në shëtitore.

“Për një qytet më të gjelbër e mjedis më të pastër e të shëndetshëm për qytetarët.

Krahas mirëmbajtjes së hapësirave të gjelbëra në zona të ndryshme të qytetit vijojmë punën për shtimin e bimëve dekorative dhe pemëve.” – shkruante në rrjete sociale një ditë më parë kryebashkiakja Sako.  

Përveç rrapave në shëtitore, pritet të mbillen në vazhdim kumbulla të kuqe dhe pemë të tjera dekorative në rrugët kryesore të qytetit, një pjesë e të cilave do të jenë donacione nga subjekte private.