TIRANË, 4 dhjetor 2013 – Forcat e Armatosura Shqiptare kremtuan sot 101-vjetorin e krijimit të tyre, në një ceremoni të zhvilluar në sallën e auditoriumit të Ministrisë së Mbrojtjes (ish-Shkolla e Bashkuar e Oficerëve). 

Ministria e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, nënvizoi se siguria në vend sot falë punës së realizuar nga Forcat e Armatosura, si pjesë e NATO-s është e garantuar, ndërsa shtoi se Shqipëria falë angazhimit në NATO dhe politikave të fqinjësisë së mirë është garant i paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. “Është privilegj të jesh pjesë Ministrisë së Mbrojtjes së vendit të dhe të kujtosh ditën e krijimit të Forcave të Armatosura, të cilat me patriotizmin e tyre kanë dhënë edhe jetën për lirinë e vendit”, tha Kodheli. 

Shqipëria sot është pjesë integrale e NATO-s dhe falë kësaj FA ka pësuar një reformë të thellë modernizuese, tha ministrja Kodheli, e cila bëri të ditur se integrimi i plotë në Forcat e NATO-s ka mundësuar stërvitje dhe instrumentat e nevojshëm që Forcat e Armatosura Shqiptare të jenë në nivelin e standardeve të kërkuar nga NATO dhe duke u kthyer në një aset të çmuar për vendin. 

Duke kthyer shikimin mbrapa nëpër korridoret e historisë, Kodheli tha se, Forcat e Armatosura në rrugëtimin e tyre kanë hasur në shtigje, të cilat kanë vështirësuar herë pas herë qëllimin e tyre atdhedashës. 

“Një shekull pas krijimit të FA-së, të gjithë shqiptarët duhet të kujtojmë heronjtë që sëbashku me Ismail Qemalin ngritën flamurin në Vlorë dhe vetëm disa ditë më vonë krijuan FA-në si mbrojtës të lirisë së vendit tonë”, theksoi ministrja e Mbrojtjes, e cila shtoi se falë tyre Shqipëria sot është e lirë. 

Kodheli tha se Forcat e Armatosura Shqiptare edhe pse në vështirësi kaluan përmes errësirës së dy luftërave botërore, sistemit komunist dhe ndryshimeve radikale të ndodhura në vitin 1990, duke mbizotëruar me sukses dhe duke vijuar tashmë rrugëtimin e saj drejt objektivit madhor NATO-s. “Çdo ditë e më shumë falë punës suaj lartësohet heroizmi juaj dhe portretizohet gjithnjë e më shumë heroizmi i të rënëve për shtetin shqiptar”, theksoi ajo. 

Ministrja Kodheli duke u larguar nga korridoret e historisë për t’u rikthyer në ditët e sotme përmendi disa nga sukseset e FA-së. 

Ajo bëri të ditur se Forcat e Armatosura sot janë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në mbrojtje të sigurisë dhe shëndetit në vend. “Forcat e Armatosura kanë dëshmuar me të gjithë kapacitetin tyre janë angazhuar duke ndërhyrë në raste katastrofash natyrore, si përmbytje, zjarre apo në raste të tjera duke qenë garant i jetës dhe shëndetit të shqiptarëve”, theksoi Kodheli. 

Ministrja e Mbrojtjes po ashtu theksoi se falë punës së bërë dhe politikave të fqinjësisë së mirë, dhe falë integrimit në NATO Shqipëria sot është model i harmonisë, stabilitetit dhe paqes në rajon dhe më gjerë. 

Ministrja Kodheli në emër të qeverisë garantoi përpjekje maksimale për të mbështetur me të gjitha instrumentat në dispozicion FA-të. “Sot në 101- vjetorin ju siguroi se Ministria e Mbrojtjes dhe Qeveria Shqiptare edhe pse ka trashëguar vështirësi financiare ka të gjithë vullnetin e nevojshëm për të mbështetur Forcat e Armatosura në rrugëtimin e saj”. 

“Rrugëtim, i cili kalon nëpërmjet një reforme të gjerë ligjore, duke promovuar profesionalizmin, depolitizimit dhe rritjes së cilësisë së FA-së, sepse vetëm në këtë mënyrë historia e tyre do të jetë histori suksesi e gjeneratës tjetër duke i bërë një nderim të gjithë atyre që kontribuan për ta sjellë aty ku sot janë Forcat e Armatosura”, përfundoi Kodheli. 

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, Jeronim Baze kujtoi se për të arritur në ditët e sotme Forcat e Armatosura Shqiptare kanë kaluar nën flakët e rrezikut pushtues. Sipas tij, FA është gjithnjë e gatshme për të ndërhyrë në raste fatkeqësie. 
“Çdo person që punon në FA zgjedhin të kalojnë 2-3 dekada të jetës së tyre nën mbrojtjen e kombit. Ata punojnë në heshtje dhe në madhështi për ti ofruar Shqipërisë mbrojtjen dhe sigurinë e kërkuar. Unë, shtoi Bazo, garantoj ministrinë dhe qeverinë se FA është gjithnjë e gatshme”. 

Në fund të ceremonisë u përzgjodh edhe nënoficeri i vitit, i cili u përzgjodh rreshteri, Albert Kuçaj. Rreshteri Kuçaj, është specialist i operacioneve direkte dhe pjesë e batalionit të operacioneve speciale.