Pasi kanë qendruar prej më shumë se një viti në Porto Romano, mëngjesin e kësaj të diele ka nisur zhvendosja e 102 kontejnerëve me mbetje toksike të kompanisë “Kurum”.
Kontejnerët me mbetjet e dyshuara toksike u zhvendosën në fshatin Vrinë, pranë Shënavlashit, në afërsi të sitit të ri të pallateve të ndërtuara për të pastrehët e tërmetit.
Procesi po kryhet me urdhër të Prokurorisë dhe nën mbikëqyrjen e autoriteteve.
Zhvendosja synon menaxhimin e sigurt të materialeve dhe vijimin e procedurave ligjore për trajtimin e tyre.
Në operacion po asiston edhe Policia e Durrësit për garantimin e sigurisë gjatë transportit dhe zhvendosjes.
Për skandalin me mbetjet edyshuara toksike, pak javë më parë, Gjykata e Durrësit firmosi 33 urdhër-arreste, jo vetëm për personel të kompanive përgjegjëse por edhe punonjës të institucioneve shtetërore.
Sipas organit të akuzës, shkelje të rënda të legjislacionit mjedisor u konstatuan jo vetëm tek kompanitë “Kurum” dhe “Sokolaj”, por edhe pranë institucioneve shtetërore si Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Dogana e Durrësit. Nga këto masa, vetëm 20 u ekzekutuan, ndërsa në vendimin e gjykatës 8 u lanë në “arrest në burg”, 5 në “arrest shtëpie” dhe 7 të tjerë “detyrim paraqitjeje”.





